zoom

Ekonomi

FMN mbështet qeverinë shqiptare për bastet: Reformë kritike për ekonominë!

Në analizën e fundit dedikuar Shqipërisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka cilësuar si ‘kritike’ reformën e taksës së pronës dhe atë të lojërave të fatit, nga qeveria shqiptare.

Me anë të këtij qëndrimi, FMN duket se ka mbështetur idenë e rikthimit të basteve online në vend dhe taksimin e të gjithë industrisë.

Në të njëjtin koment, përfaqësuesit e FMN theksojnë se duhet të mbarojë sa më shpejt reformimi i kadastrës dhe se më vonë qeveria mund të rishikojë përjashtimet e TVSH-së dhe tatimin për biznesin e vogël.

Komenti i FMN:

Një strategji e shëndoshë e të ardhurave afatmesme është e nevojshme për një konsolidim të besueshëm fiskal. Autoritetet kanë ligjësuar disa nga reformat e politikës tatimore në përputhje me asistencën teknike të mëparshme të FMN-së. Miratimi në kohë i masave që janë ende në përgatitje – përfshirë reformat e taksave mbi pronën dhe lojërat e fatit – është kritike. Mund të merren gjithashtu në konsideratë masat e paracaktuara për futjen e mëvonshme, të tilla si heqja e përjashtimeve të mëtejshme të TVSH-së dhe norma zero e tatimit për bizneset e vogla. Puna për përmbushjen e parakushteve për futjen në kohë të reformave të tatimit në pronë, duke përfshirë funksionalizimin e plotë të një kadastre të centralizuar fiskal, duhet të përfundojë. Rritja e të ardhurave të mëtejshme do të varet nga forcimi i administrimit të të ardhurave, duke përfshirë pajtueshmërinë tatimore të individëve me vlerë të lartë neto dhe një plan veprimi për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Progresi në këto fusha do të mbështeste gjithashtu përpjekjet më të gjera për të reduktuar informalitetin dhe për të zgjeruar bazën tatimore.