zoom

Aktualitet

Flet vrasësi i Behar Sofisë: Pas “padronit” m’u ngarkua dhe një vrasje në Gjermani

Ernejt Shyti, 24-vjeçari autor i vrasjes së Behar Sofisë në 21 shkurt 2021 në Tiranë, i cili prej kohësh ka pranuar të jetë bashkëpunëtorë i drejtësisë ka dhënë një dëshmi tronditëse në gjyqin e themelit që vijon në Gjykatën e Posaçme.

Shyti ka deklaruar se të njëjtët persona që e kishin porositur për të eliminuar Behar Sofinë i kishin thënë se do të kryente një tjetër vrasje në Gjermani. Sipas tij, ai do të vriste një 34-vjeçar që shtëpinë e kishte në cep të rrugës, emrin e të cilit nuk e bënë publik dhe për këtë do të paguhej për një shumë prej 500 mijë euro.

Shyti në seancë nuk ka dhënë detaje të tjera për këtë porosi, duke mos treguar nëse ky person është apo jo shtetas shqiptar që jeton në Gjermani. Më tej, ai ka treguar me detaje vrasjen e Beharë Sofisë, nga përgatitja deri tek finalizimi.

66-vjeçari Behar Sofia, i njohur si “padron droge” në Shqipëri u vra rreth orës 09:00 të 25 shkurtit teksa ecte me këmbë pranë Piramidës. Ai u ndoq nga Shyti, i cili, i veshur me maskë Covid-19 e qëlloi dy herë me armë zjarri. Deri më tani janë identifikuar si të përfshirë për vrasjen e Behar Sofisë shtetasit: Ernejt Shyti , Xhuliano Visha, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leze, që nga ana e tyre mbajnë qëndrim mohues.