Qeveria njofton se miratoi bonusin për shpërblimet e Vitit të Ri dhe festave të fundvitit, për pensionistët dhe personave të tjerë që e përfitojnë atë.
Bëhet fjalë për një shpërblesë 5 mijë lekë të reja dhe me fond total nga buxheti me vlerën e 3,5 mld lekëve. Vetë ministri i Financave, Ervin Mete e konfirmoi pak më parë këtë lajm në rrjetin social FB, me anë të një postimi.
“Bonusi i fundvitit do të shpërndahet së bashku me pensionet mujore përgjatë muajit dhjetor nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Shpërblimi mund të tërhiqet nga përfituesit edhe pas festave të fundvitit”, shkruan ai.
Postimi i ministrit Mete në FB:
“Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shpërblimin e pensionistëve dhe personave të tjerë që përfitojnë trajtime financiare me bonusin e fundvitit, në masën 5 mijë lekë, me një fond total prej 3.5 miliardë lekësh.
Bonusi i fundvitit do të shpërndahet së bashku me pensionet mujore përgjatë muajit dhjetor nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Shpërblimi mund të tërhiqet nga përfituesit edhe pas festave të fundvitit.
Ky është bonusi i dytë që jepet brenda këtij viti, pas atij të akorduar në muajin prill, nga i cili do të përfitojnë rreth 700 mijë pensionistë, por edhe kategori të tjera, që përfitojnë trajtime financiare.
Në tre vitet e fundit, për indeksimin e pensioneve janë alokuar 25 miliardë lekë, të cilat me buxhetin e parashikuar për vitin e ardhshëm arrijnë në afro 30 miliardë lekë dhe me efekt të përhershëm në buxhetin e shtetit”. /ZOOM.AL/