Aplikacion
Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë sot rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”.
Kërkesa e Veliajt është depozituar më 6 maj, dy ditë pasi Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë ndryshuan pjesërisht praktikën lidhur me masat e arrestit.
Në rekursin e paraqitur, Veliaj kërkon zëvendësimin e masës “Arrest në burg” me një masë më të lehtë sigurie, si “Garanci pasurore” ose “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”.
Ndërkohë, edhe Gjykata Kushtetuese ka rikthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë një tjetër kërkesë të Veliajt për lirim, duke kërkuar arsyetim më të detajuar mbi proporcionalitetin e masës së sigurisë në raport me funksionin e tij si kryebashkiak i Tiranës.
Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. Ndërkohë, SPAK ka dërguar për gjykim dosjen ndaj tij, ku rëndojnë 13 akuza, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.