zoom

Sport

Enton Kikrri: Titans 4 ngjit në ring boksierët më të mirë, paratë e biletave shkojnë për bamirësi

Trajneri i Teutës në boks, Enton Kikrri ishte i ftuar në emisionin “Ora Sport” që transmetohet në “Ora News”, ku foli për të rinjtë që e kanë përqafuar këtë sport dhe mënyrën e stërvitjes.

Gjithashtu Enton Kikrri u ndal edhe te turneu “Titans 4”, që do të zhvillohet në 12 nëntor në pallatin e sportit “Ramzan Njala” në Durrës, një event ku do të ngjiten në ring boksierët më të mirë durrsak, ndërsa zbuloi se paratë që do të arkëtohen nga shitja e biletave do të shkojnë për bamirësi.

“Jam trajner i Teutës prej 16 vitesh dhe gjithashtu punoj në një akademi ku stërvis boksierët e rinj. Kemi edhe një ekip tjetër që quhet “Titans”. Këto vitet e fundit, boksi dhe kikboksi është kthyer në trend, kemi pasur dyndje. Kryesorja është pjesa e edukatës. Në palestër nuk lejoj as fjalën “dreq” që të përmendet, jo më sharje. Të gjithë bëhen më të edukuar dhe më të sjellshëm. Në fillim e nisa për pasion, për t’u ndierë mirë, por pastaj u kthye në profesion”, tha Kikrri.

“Titans Fight 4” – “Eventin që do të zhvillohet në 12 nëntor në Durrës, do të ketë ndeshje boksi dhe kikboski, me boksierë edhe nga jashtë Shqipërisë. Kemi shumë boksierë të talentuar si Ardit Murja, i cili ka arritur rezultate të larta edhe në garat ndërkombëtare. Zakonisht eventi zgjat 4-5 orë dhe do të ketë spektakël në ring. Atmosfera do të jetë e zjarrtë në pallatin e sportit “Ramazan Njala”.

Elementët artistik – “Nuk do të ketë vetëm ndeshje boksi, pasi në ring do të ngjiten edhe artistë si Luiz Ejlli apo Shkurte Fejza për të performuar hitet e tyre. Gjithashtu dua të them se paratë që do të mblidhen nga biletat do të shkojnë për Shtëpinë e Foshnjës Durrës”, tha Enton Kikrri. /zoom.al/