zoom

Aktualitet

EMRI/ Shqiptari sfidon autoritetet britanike me supermakinë 80 mijë paund dhe kërkesë për azil

EMRI/ Shqiptari sfidon autoritetet britanike me supermakinë 80 mijë paund dhe kërkesë për azil

Një kriminel shqiptar i dënuar më parë dhe i dëbuar dy herë nga Mbretëria e Bashkuar është rikthyer në vend dhe po sfidon hapur autoritetet britanike, ndërsa është i mbrojtur nga një kërkesë për azil që i ndalon deportimin.

Dorian Puka, 28 vjeç, me të kaluar kriminale të pasur në Britani, ka postuar një video në rrjetet sociale ku shfaqet duke zbuluar targën e personalizuar “DO24 AMG” në Mercedesin e tij luksoz prej 80 mijë paundësh, duke bërë edhe një xhiro nëpër Londër dhe në autostradën M25 drejt nyjes me M40 për në Oksford.

Kjo është vetëm sfida më e fundit ndaj autoriteteve të Ministrisë së Brendshme britanike, të cilat nuk mund ta dëbojnë për shkak të një kërkese për azil që ai ka paraqitur. Ligji parashikon që ai nuk mund të dëbohet derisa kërkesa të shqyrtohet plotësisht, një proces që, për shkak të numrit të madh të rasteve të prapambetura në gjykatat e imigracionit, mund të zgjasë me muaj apo edhe vite.

Puka u dënua për herë të parë në vitin 2016 me 9 muaj burg, pasi u kap duke tentuar të futej në një banesë ndërkohë që pronari e vëzhgonte drejtpërdrejt nga një kamera sigurie teksa ndodhej me pushime në Francë. Ai u dëbua në vitin 2017, por brenda një viti arriti të futej përsëri ilegalisht në Britani dhe të kryente një sërë grabitjesh në Londër.

Ai u kap sërish në Surbiton të jugperëndimit të Londrës, duke mbajtur një orë të shtrenjtë që kishte vjedhur më parë. U dënua me tre vjet e gjysmë burg dhe u dëbua për herë të dytë në mars 2020.

Aktiv në rrjetet sociale edhe nga burgu

Gjatë kohës që ishte në burg në Britani, Puka u bë i njohur për përdorimin e një telefoni të kontrabanduar, përmes të cilit postonte foto në Instagram, duke u shfaqur edhe pranë liderit të një grupi kriminal të organizuar që po vuante një dënim prej 12 vitesh për trafik kokaine dhe pastrim parash.

Pas lirimit dhe kthimit për disa muaj në Shqipëri, ai udhëtoi përmes Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës dhe më pas arriti të kapërcejë sërish kontrollet kufitare për të hyrë ilegalisht në Britani në dhjetor të vitit 2020, sipas postimeve të tij në Instagram.

Mësohet se Puka ka paraqitur një kërkesë për azil dhe prej më shumë se një viti ndodhet nën mbikëqyrje me një byzylyk elektronik, në pritje të tribunalit të imigracionit për të vendosur mbi kërkesën e tij.


Jetë luksoze dhe përqeshje e hapur ndaj ligjit

Në dhjetor të vitit të kaluar, Puka postoi urime për Vitin e Ri nga një klub nate në Londër, i rrethuar nga femra dhe duke tymosur shisha pranë një valltareje orientale.

Tre muaj më parë, ai kishte publikuar video në TikTok dhe Instagram, duke drejtuar një Ferrari 300 mijë paundësh në Londër dhe duke u shfaqur me dhjetëra orë Rolex dhe makina të tjera luksoze.

Edhe Nigel Farage, në shënjestër të talljeve

Puka gjithashtu ka përqeshur liderin e partisë Reform, Nigel Farage, duke postuar një foto ku shihet duke ngrënë dhe pirë, me një imazh të modifikuar përmes teknoligjisë të Farage që i bën “like” me gishtin lart. Farage e kishte quajtur më herët Pukën një “maskara i vërtetë” që “po shkel me këmbë mbi ligjet e Britanisë”.

Burimet e financimit të Pukës mbeten të paqarta, por raportohet se ai ka jetuar në një apartament me vlerë 250 mijë paund në Hounslow, në perëndim të Londrës.

Chris Philp, sekretari i brendshëm i opozitës konservatore, u shpreh:

“Mirë se vini në Britaninë e Laburistëve, ku hajdutët e dënuar bredhin me makina luksoze, postojnë selfie me Rolex dhe qeshin me ligjin, ndërsa Ministria e Brendshme rri dhe ha stilolapsin.
Ky bandit shqiptar është burgosur, dëbuar, është rikthyer fshehurazi dhe tani tall autoritetet online, ndërsa fshihet pas kërkesës për azil si një kartë privilegji.
Prandaj ne kemi propozuar Ligjin për Deportimin – për të rikthyer kontrollin e kufijve tanë dhe për të larguar çdo imigrant të paligjshëm dhe kriminel të huaj. Nëse Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut na pengon, atëherë do të largohemi prej saj.”

Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike deklaroi:

“Shtetasit e huaj që kryejnë krime nuk duhet të kenë asnjë dyshim: ligji do të zbatohet. Z. Puka është dëbuar më parë nga Mbretëria e Bashkuar.
Ligji britanik nuk lejon deportimin e individëve për sa kohë ata kanë paraqitur kërkesa apo dokumente që janë ende në shqyrtim.
Ne kemi nisur një fushatë të gjerë për të shtuar kontrollet dhe kthimet e atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë këtu, dhe që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re, 30,000 persona janë kthyer në vendet e tyre.”/ Marrë nga “The Telegraph”

Postime të lidhura