Aplikacion
Një punonjës policie në qytetin e Elbasanit është pezulluar nga detyra pasi dyshohet për shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit në krim.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan, ndërsa ndaj tij janë vendosur edhe masa të tjera sigurie.
Sipas hetimeve, bëhet fjalë për efektivin e patrullës së përgjithshme Ervis Kaloti, i cili përveç pezullimit nga detyra është ndaluar të largohet jashtë vendit dhe është detyruar të paraqitet rregullisht në policinë gjyqësore.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se polici kishte disa muaj që mbahej nën vëzhgim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Dyshohet se ai informonte persona të shpallur në kërkim për veprime të policisë dhe operacione që mund të zhvilloheshin ndaj tyre.
Sipas të njëjtave burime, në disa raste ai mund t’i ketë shoqëruar këta persona në komisariat dhe më pas t’i ketë liruar, duke i ndihmuar të shmangnin pasojat ligjore.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të një procedimi penal të nisur gjatë vitit 2025, ku përmes metodave speciale të hetimit është krijuar dyshimi se punonjësi i policisë ka përkrahur persona me precedent penal në aktivitetet e tyre të paligjshme./ Zoom.al