Aplikacion
Policia greke ka arritur të zbardhë atentatin me armë ndaj shtetasit turk Volkan Ertas, që ndodhi më 13 korrik në lokalin “Filloas” në rrugën “Tripoleos” të Athinës. Si autor është identifikuar dhe arrestuar Alesio Biba, 22 vjeç, me origjinë nga Vau i Dejës, Shqipëri.
Sipas policisë, Biba vepronte nën urdhrat e shtetasit turk Suleyman Dalgic, i burgosur me burgim të përjetshëm në Greqi për vrasjen e gjashtë shtetasve turq në tetor 2023, të gjithë pjesë e organizatës mafioze “Daltons” në Turqi.
Volkan Ertas, shënjestër e atentatit, mbeti i plagosur pas një breshërie prej katër plumbash, ndërsa një plumb tjetër plagosi edhe një polic grek, bashkëshort i pronares së lokalit.
Ertas kishte shkuar në takim me një person të panjohur, sipas udhëzimeve nga Dalgic, me qëllim marrjen e një automjeti në këmbim të një borxhi. Kur ndjeu rrezikun, Ertas devijoi drejt lokalit, ku ndodhi edhe atentati.
Gjatë arrestimit, Biba u përpoq të shkatërronte celularin për të eliminuar provat, ndërsa në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan arma e krimit, fishekë, pajisje teknologjike, numra celularë dhe një letër me udhëzime për pajisje GPS për ndjekjen e makinave.
Në dëshminë e tij, ai pranoi autorësinë e ngjarjes, duke pohuar se kishte për synim vetëm plagosjen e Ertasit./ Zoom.al