Policia e Shtetit ka ndërmarrë një valë të re ndryshimesh në disa komisariate të vendit, duke emëruar dhe transferuar drejtues në pozicione kyçe të strukturave lokale.
Lëvizjet janë pjesë e një riorganizimi të brendshëm, që konsiderohet si pjesë e strategjisë së Policisë së Shtetit për të forcuar zinxhirin komandues në nivel lokal dhe për të garantuar një mbulim më efektiv të territorit në luftën kundër krimit.
Ndryshimet në fjalë vijnë pas disa episodeve të rënda kriminale në vend, ku jo më larg se dje u regjistruan tre vrasje, që sollën humbjen e tre jetëve.
Sipas burimeve zyrtare, ndryshimet përfshijnë:
- Kryekomisar Mariglen Duçi, shef i Komisariatit të Policisë në Malësi të Madhe (DVP Shkodër), emërohet shef komisariati në Dibër.
- Kryekomisar Nertila Meta, më parë specialiste në Sektorin kundër Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve në Drejtorinë për Krimet në Volum (DPPSH), emërohet shefe komisariati në Librazhd (DVP Elbasan).
- Kryekomisar Elton Halili, që drejtonte Komisariatin e Policisë Librazhd, transferohet si shef komisariati në Bulqizë (DVP Dibër).
- Kryekomisar Edvin Peci, deri tani shef komisariati në Bulqizë, emërohet shef i Komisariatit të Policisë nr.6 në Tiranë.
- Kryekomisar Erdit Rrëçeku, që drejtonte Komisariatin nr.6 në kryeqytet, emërohet shef sektori për Krimet në Volum në DVP Elbasan.
- Komisar Klaudio Zhupa, që mbante detyrën e shefit të Seksionit për Krimet në Volum në Komisariatin e Policisë Kavajë, emërohet shef komisariati në Malësi të Madhe (DVP Shkodër).
- Kryekomisar Altin Lila, ish-shef i Komisariatit të Policisë Dibër, emërohet specialist për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në DPPSH.
Siç shihet, ndryshe nga komisariatet e tjera, ai i Librazhdit i është besuar një gruaje. / Zoom.al
Postime të lidhura