Aplikacion
Për të pestën ditë radhazi, fusha e mbetjeve urbane në Elbasan vazhdon të lëshojë tym dhe gazra toksikë që mbulojnë qytetin dhe zonat përreth.
Edhe pse flakët janë shuar në sipërfaqe, zjarri vijon të digjet në thellësi të mbetjeve, duke helmuar ajrin që thithin qindra qytetarë.
Kjo është hera e parë që një zjarr në landfillin e Elbasanit zgjat për kaq shumë ditë, ndonëse vendgrumbullimi është përfshirë nga flakët edhe më parë.
Aktualisht, në terren janë të angazhuara forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe bashkive fqinje, emergjencat civile dhe ushtria me mjetet e saj.
Situata është rënduar edhe më shumë nga temperaturat ekstreme, të cilat kanë kaluar 40 gradë Celcius. Nën këtë valë të nxehti dhe ndotjeje, Elbasani po përjeton një emergjencë të vërtetë mjedisore, me pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin publik.
Ndërkohë, kriza ka prekur edhe bashkitë fqinje, të cilat nuk mund të depozitojnë më mbeturinat në këtë landfill. Si pasojë, mbetjet urbane kanë mbetur të shpërndara nëpër rrugë, duke përkeqësuar më tej gjendjen mjedisore në të gjithë rajonin./ Zoom.al