zoom

Aktualitet

Ekzekutimi i kunatit të Gentian Bejtjas/ Prokuroria: Ishte në makinë me motrën e 2 nipërit

Ekzekutimi i kunatit të Gentian Bejtjas/ Prokuroria: Ishte në makinë me motrën e 2 nipërit

Është zbardhur dosja e Prokurorisë për vrasjen e 29-vjeçarit Ramazan Sino pak pas mesnatës së të hënës (4 korrik) në oborrin e banesës së kunatit të tij, Gentian Bejtja në fshatin Larushkë.

Sipas Prokurorisë ai ka qenë në automjet me motrën e tij dhe dy nipërit që mbetën të plagosur.

Ata kishin kryer disa vizita mjekësore për nipin e më pas janë rikthyer në banesë, kur në momentin që po zbrisnin nga mjeti persona të paidentifikuar kanë hyrë brenda në oborr dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tyre.

I vdekur mbeti 29-vjeçari Ramazan Sino, ndërsa janë plagosur dy nipat e tij.

Pjesë nga dosja e Prokurorisë:

Ramazan Sino ka qenë Tiranë me motrën e tij A.B, e cila është bashkëshortja e Gentian Bejtjes, si dhe dy nipat e mitur. Pasi kanë kryer disa vizita mjekësore për nipin, ata kanë udhëtuar me automjetin Audi me targë AA700XH, në drejtim të fshatit Larushk. Pasi kanë mbërritur në banesë, kur po zbrisnin nga automjeti, para hyrjes kryesore të shtëpisë, persona të paidentifikuar kanë hyrë brenda në oborr dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tyre, ku ka gjetur vdekjen Ramazan Sino, si dhe janë plagosur dy nipat e tij.

Në oborrin e banesës me avlli të lartë, janë gjetur 24 gëzhoja model 56, kalibër 7.62 mm, një predhë e dëmtuar, në murin e banesës dhe murin rrethues të avllisë janë konstatuar dëmtime në formë vrime të shkaktuara predhat e fishekëve të armëve të zjarrit. Shtetasit të ndaluar i janë marrë faktorë plotësues të qitjes me tampon magnetik standard nga të dyja duart. Në tamponin me të cilin janë marrë mbetje në dorën e majtë të Valter Bamit, u evidentua prania e një mikrogrimce e vetme me prejardhje nga lënda mbushëse e kapsollës së fishekut të armëve të zjarrit në dorën e majtë.

Ne tamponin tjetër objekt ekspertimi me te cilin janë marre mbetje nga dora e djathtë nuk u evidentuan mikrogrimca të tilla. Nga kontrolli i banesës së shtetasit Valter Bami më datë 4.7.2023, ka rezultuar se në banesë nuk janë gjetur sende të kundërligjshëm. Ndodhur në këtë situatë, në kushtet kur ekzistonte rreziku që shtetasi Valter Bami t’i fshihej drejtësisë dhe vepra penale për të cilën dyshohej parashikon dënim deri në shtatë vjet burgim, është proceduar me lëshimin e urdhrit të ndalimit të tij!

Nga studimi i të dhënave të dokumentuara nga Policia Gjyqësore dhe verifikimet e bëra nga prokurori, rezulton se: Me cilësinë e prokurorit të gatshëm kam regjistruar procedimin penal nr. 4217 të vitit 2023 për hetimin e veprave penale të ‘Mbajtjes së armëve luftarake në ambiente publike’ të parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe ‘Vrasjes në rrethana cilësuese’ (të paktën një episod i mbetur në tentative) të parashikuar nga neni 79 (gërma ‘dh’) të Kodit Penal. Më datë 06.07.2023 është urdhëruar regjistrimi i emrit të personit nën hetim shtetasin Valter Bami, si person i dyshuar i dyshuar për veprën penale të ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit të parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal’.

Postime të lidhura