Aplikacion
Vrasin, largohen nga vendi i ngjarjes dhe më pas shkrumbojnë makinën me targa të vjedhura që përdorin, duke e bërë thuajse të pamundur zbulimin e tyre. Kjo është një nga skemat më të përdorura dhe që ka ndjekur 2021 nga një seri ekzekutimesh mafioze. Shumica prej vrasjeve që tronditën vendin edhe sot mbeten mister dhe ekzekutorët nuk janë zbuluar. E përbashkëta që ka lidhur këto ekzekutime mafioze nuk ka qenë vetëm skema e vrasjes por edhe shkaqet e tyre, që lidhen me përplasjet mesa bandave, hakmarrjet dhe konfliktet e trafikut të drogës.
2021 ka pasur bilance negative për sa u përket vrasjeve, ku duke përfshirë edhe krimin brenda familjes apo vrasjet për motive banale, përllogaritet që janë shënuar 67 krime, nga 1 Janari i vitit 2021 deri më 30 dhjetor 2021. Muaji Maj kulmoi me 7 vrasje, 5 prej të cilave atentate. Ashtu sic u përmend më lart, viktimat ishin njerëz të lidhur me botën e krimit dhe trafikut të drogës. Ajo që vlen për tu përmendur është se viti 2021 do mbahet mend edhe për ekzekutimet e shumë grave, kryesisht nga bashkëshortët e tyre të dhunshëm.
Të dhënat tregojnë se qytetet problematike me larjet e hesapeve mes bandave vijojnë të mbeten Elbasani, Shkodra, Vlora, Tirana e Fieri. Bilancin më negative për sa u përket ekzekutimeve përgjatë 12 muajve është Elbasani me 9 vrasje. Shifrat janë të frikshme edhe për Tiranën ku po ashtu janë shënuar 9 ekzekutime, ndërsa Vlora dhe Fieri kanë regjistruar nga 8 vrasje.
Disa nga vrasjet që tronditën Shqipërinë për vitin 2021:
Ekzekutimet në vend nisën që më 1 janar 2021. Vladimir Zvezhda, 42-vjeç vritet nga kunati i tij Klajdi Shundi pasi kishin darkuar dhe ishin dehur në banesën e këtij të fundit në rrugën “5 Maji” në Tiranë.
24 Janar vritet Edmir Begu. Ai u qëlluar me breshëri armësh në Durrës. Lidhur e këtë ngjarje u përfol se erdhi si shkak i prishjes së pazareve të drogës mes viktimës dhe ekzekutorëve.
1 Shkurt vritet Shkëlzen Kastrati. Kastrati u ekzekutua pranë zonës së tregut në Sheq të Fierit, teksa ishte duke lëvizur me mjetin e tij “Mercedes Benz”. Vrasja e Shkëlzen Kastratit mendohet të jetë vazhdim i vrasjes së ndodhur në shkurt të vitit 2016 te zona e quajtur Mulliri i Artë. Shkëlzen Kastrati është vëllai i shënjestrës së vrasjes së 5 viteve më parë por që u shpëtoi plumbave. Klement Kastrati, i cili shpëtoi, ndërkohë që i vrarë mbeti një shtetas nga Patosi.
6 shkurt vritet Gentian Qarri. Pista kryesore e vrasjes së 40-vjeçarit të vrarë në Vlorë është e shkuara e tij kriminale. 40-vjeçari kishte qenë i dënuar me 11 vite burg për drogë në Itali. Ai kishte 3 vite që kishte përfunduar dënimin dhe ishte kthyer në Vlorë, ku ishte martuar dhe punonte si hidraulik. Për shkak të dënimit me drogë pista e hetimit është përqëndruar tek larja e hesapeve.
25 Shkurt vritet Behar Sofia. 66-vjeçari Sofia u vra me dy plumba mëngjesin e 25 shkurtit është një emër i njohur në botën e krimit dhe dyshohet se vrasja është bërë për këtë qëllim.
3 Mars vritet Tauland Gjikaj. Pista kryesore është ajo e prishjes së pazareve të drogës. Gjikaj ishte një person me precedent të mëparshëm penali, i arrestuar për armëmbajtje pa leje gjatë një konflikti me armë mes bandave në qytetin e Vlorës në vitin 2017.
20 Mars vritet Edmond Koçi. Mond Çekiçi”, konsiderohej nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezultonte të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë.
4 Prill vritet Bardhok Pllanaj. I njohur ndryshe si “Kumbari” i Shkodrës, Pllaja mbahej në vëzhgim prej disa kohësh si i përfshirë në trafik droge për llogari të operacionit “Lugina Vilunit”, ku u sekuestruan rreth 804 kg drogë e lloji kanabis në momentin kur po tentohej të trafikohej drejt Italisë me gomone. Vrasja e tij ishte një vrasje mafioze.
21 Prill vritet Pjerin Xhuvani. Pas një shkëmbimi zjarri, në lagjen “5 maji” në Elbasan mbeti i vrarë shtetasi, Pjerin Xhuvani.
6 Maj vritet Liljana Buzo. 54-vjeçarja që u vra në afërsi të gjykatës së Elbasanit nga burri i saj ish-polic, 58-vjeçari Koço Buzo, ka qenë së bashku me djalin e saj kur është qëlluar për vdekje. 54-vjeçarja sapo kishte mbaruar seancën për procesin e divorcit, kur bashkëshorti, i cili po e priste jashtë, i është afruar dhe ka qëlluar fillimisht me thikë dhe më pas e ka qëlluar 7 herë me kallashnikov pas shpine.
10 Maj vritet Bledar Birçaj. Viktima u ekzekutua në automjetin e tij tip BMË teksa ishte duke udhëtuar në qytetin e Vlorës. Birçaj është një emër i njohur për drejtësinë dhe policinë teksa njihej si biznesmen gjithashtu.
10 Maj vritet Mehmet Qema. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen e Qemës, ku viktima bashkë me autorin dhe disa djem të tjerë, ishin mbledhur të pinin në një lokal në zonën e “5 majit”, pavarësisht se ora policore kishte kaluar.
12 Maj vritet Everest Caka. 41-vjeçar është ekzekutuar me armë me silenciator në makinë në sy të gruas së tij në lagjen “Skëndërbej” në Elbasan. Shkak i vrasjes dyshohet se është e shkuara tij, kjo pasi Çaka ka lidhje me persona me të shkuar kriminale që kanë mbetur të vrarë pak vite më parë
17 Maj vritet Endri Mustafa. Mustafa është qëlluar me të paktën 7 plumba. Vrasja ka te bëjë me të shkuarën kriminale të viktimës.
21 Maj vritet Delon Troqe. 38-vjeçari u ekzekutua jashtë servisit të tij në Skelë, ku qëndronte prej ditësh që pas kthimit nga Spanja. Viktima ishte një person i skeduar nga Policia e Shtetit, ndërsa viktima ka qenë dhe i dënuar më parë.
29 Maj vritet Emiljano Ndou. 25 vjeçari është ekzekutuar me armë zjarri pak pasi kaloi mesnata, në fshatin Bardhaj në Shkodër. I riu sapo ishte kthyer nga shtëpia e të motrës dhe autori, Mark Kodra, 47 vjeç, bashkëfshatar i tij, i zuri pritë dhe e ka qëlluar me kallashnikov.
1 Qershor vritet Çajup Selimi. Ai u vra në derë të shtëpisë në Tepelenë. Ai u qëllua dy herë, ku një plumb e kapi në zemër, duke rezultuar fatal për 52-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës.
2 Qershor vritet Shkëlzen Velaj. Ekzekutimi ndodhi pak para mesnatës në qytetin e Vlorës. Në familjen e tij nuk është viktima e parë pasi në 2015-n i vranë të vëllanë Ardi Velaj në “Masakrën e Çoles”. Pista e hetimit të vrasjes së 43-vjeçarit është fokusuar pikërisht te hakmarrja për vrasjet seri që kanë nisur nga kjo masakër.
6 Qershor vritet Diana Vukaj. E reja është vrarë me armë zjarri në dhomën e saj të gjumit në një banesë në Shkodër. Vukaj dyshohet se ishte vrarë nga i vëllai me silenciator dhe mbahej prej të paktën disa ditësh në banesë.
14 Qershor gjendet i mbytur Fridman Xhaferraj. Dyshohet se i riu është vrarë për prishjen e pazareve të drogës por policia nuk ka përjashtuar edhe vrasjen për motive të dobëta. Xhaferraj është gjendur me dëmtime në fytyrë, teksa është vrarë e më pas është hedhur në rezervuarin e Korçës.
27 Qershor masakra e Velipojës me 4 të vrarë. Konflikti për hapësirën e plazhit mes dy familjeve pronare hotelesh në Velipojë, Ferracakëve dhe Gocajve solli vrasjen e 4 personave. Viktimat e ngjarjes janë biznesmeni i njohur i zonës, Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit Xhovani Gocaj e Edmond Gocaj dhe punonjësi i hotelit, Myzerim Zeneli, i cili ishte në ditën e parë të punës.
21 Gusht Xhuljano Bullari. I riu është gjendur i ekzekutuar në makinën e tij në fashatin Babicë e Vogël në Vlorë. Dyshohet se 25-vjeçari së bashku me grupin e tij blenë me lekë false një sasi kanabisi nga Bledar Selmanaj, gjë që solli vrasjen.
4 Tetor ekzekutohen Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku. Autorët ishin në pritje të Çollakut dhe Bitrit e sapo këta të fundit kanë parkuar makinën për t’u ulur në një bar pranë pikës së karburantit janë qëlluar me breshëri. Viktimat nuk ishin të panjohura për drejtësinë shqiptare. Ardjan Çollaku ishte dënuar më parë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dhunë në familje, aksident me pasojë vdekjen etj. Babai i dy fëmijëve njihej edhe me mbiemrin Subashi dhe duket se ka qenë i përfshirë edhe në rrjetin e prostitucionit në Itali.Nga ana tjetër 43 vjeçari Lulzim Bitri dyshohet si i përfshirë në një vrasje të ndodhur në Tetovë para disa vitesh.
17 Tetor vritet Alban Semaku. 38-vjeçari që u gjet i vrarë me armë zjarri në Peqin. Trupi i pajetë u gjet në lagjen Çezmë, pranë lumit Shkumbin. Pas verifikimeve të policisë rezultoi se viktima ishte Alban Semaku, emër i njohur për drejtësinë, pasi ka qenë pjesë bandës së Aldo Bares në Lushnje. 38-vjeçari ka dalë nga burgu në maj të këtij viti.
16 Nëntor masakrohet vogëlushi Mateo Vasiu. Vrasja e të miturit nga monstra 28-vjeçare Klodian Çalamani është zbuluar nga këqyrja e kamerave të sigurisë disa metra pranë banesës së të miturit, ku është konstatuar se, Mateo Vasiu është parë të dalë nga banesa e gjyshes së tij me një biçikletë në lagje. Çalamani pasi e vrau të miturin në Fier e groposi në oborrin e banesës së tij.
29 Nënotr ekzekutohet me silenciator Pashko Ujka. Ish-kreut të Komunës Velipojë dhe ish-ndërtuesit Pashko Ujka në momentin e vrasjes ai ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vëllai i tij të cilët kanë parë të gjithë ngjarjen. Hetimet janë përqendruar jo vetëm me funksionin e tij si ish-kryetar i Komunës së Velipojës, por edhe si ndërtues, nisur nga fakti se ai është ndërtues i disa pallateve në qytetin e Shkodrës vitet e fundit.
10 Dhjetor vritet në Laç Rakip Roli. Biznesmeni u qëllua për vdekje në Laç dhe rezulton emër i njohur për policinë. Në vitin 2011 ai u arrestua pasi u përfshi në plagosjen e një 22-vjeçari, ku së bashku me një person tjetër, Petrit Sana rrahën me sende të forta të riun, duke e plagosur rëndë, pas një sherri për motive banale.
14 Dhjetor vrasja e Jurgen Dukës në Tiranë. Një agjent krimesh me detyrë në Dibër, ka qëlluar me armë zjarri për vdekje 29-vjeçarin Jurgen Duka (Mëziri). Vrasja ka ndodhur brenda një marketi në rrugën ‘Irfan Tomini’, ndërsa fillimisht Duka ka mbetur i plagosur ndërsa ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë pasi plumbi e preku në zemër. Sherri nisi për radhën në market.
23 Dhjetor vritet Can Karriqi. Karriqi u ekzekutua me armë zjarri me silenciator teksa ndodhej brenda makinës me targa të huaja. Ngjarja e rëndë ndodhi në Kodër Kamëz.
27 Dhjetor ekzekutohet Albi Bashaliu. Bashaliu, ishte një emër i njohur për policinë. Ai në vitin 2017, u arrestuar për një atentat të dështuar ndaj dy personave. 35-vjeçari akuzohet se qëlloi me breshëri arme ndaj dy personave që udhëtonin me makinë. Në atë kohë dy personat shpëtuan pa lëndime ndërsa Albi Bashaliu u arrestua. Një ndër pistat që po hetohet është ajo e hakmarrjes që lidhet me të shkuarën e viktimës dhe vëllait të tij.
/Zoom.al/