zoom

Art & Kulturë

Ekspozitë në Burgun e Spaçit me portretet e ish të dënuarve, rrëfimet prekëse

Dhjetëra ish të dënuar politikë kanë qenë në kampin e Spaçit në fundjavë, ndërsa një ekspozitë me portretet e tyre i kthen ata në vendin e vuajtjes së dënimit. Të mbijetuarit kujtuan ata që humbën jetën dhe lanë eshtrat apo vuajtën në minierën dhe burgun famëkeq.

Një ekspozitë me portretet e 49 të dënuarve politikë që kanë vuajtur dënimet gjatë diktaturës në burgun Kamp të Spaçit u çel të shtunën aty. Skulpturat e ish të dënuarve që janë ende në jetë, përjetësojnë fytyrat e tyre në një skulpturë monumentale duke dashur të nxisë kujtesën dhe reflektimin.

Vetë të dënuarit e pranishëm u ndalën te rëndësia e këtij siti dhe nevojën për të kujtuar ata që humbën jetën.

Ekspozita “E kaluara e tashme- një hapësirë kulturore për reflektim” bashkoi në Spaç edhe dhjetëra ish të dënuar politikë, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, bashkië së Mirditës, të rinj dhe diplomatë.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, takoi ish të burgosurit dhe dëgjoi historitë e tyre, ndërsa ekspozita është mbështetur nga programi i “Be për kulturën”.

Ndërsa një plan menaxhimi për Spaçin është në fazën e konsultimit publik, takimet dhe aktivitetet për të, synojnë të ndërtojnë ura komunikimi mes brezave e grupeve shoqërore. /ZOOM.AL/