zoom

Aktualitet

Eksportuesit letër FMN-së, BB dhe Bankës Europiane: Rënia e euros po ndikohet nga paratë e krimit

Zhvlerësimi i euros vijon të dëmtojë aktivitetin e eksportuesve dhe sipas tyre rënia e monedhës po ndikohet nga prurja e parave kriminale në ekonominë shqiptare.

Shoqatat e eksportit në një letër drejtuar institucioneve ndërkombëtare financiare si FMN, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (ERBD), Bankës Botërore, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bankës së Shqipërisë kërkojnë marrjen e masave, pasi efektet nga zhvlerësimi i euros do të ndihen ndër vite.

“Do ta vlerësonim pozitivisht, nëse forcimi i monedhës kombëtare do të vinte nga forcimi i ekonomisë sonë për shkak të rritjes së produktivitetit, rritjes së konkurrencës, rritjes së investimeve të huaja direkte dhe të ardhurave nga remitancat.

Por luhatjet e mëdha dhe të përkohshme që dëmtojnë rëndë eksportuesit dhe turizmin duket se ndikohen edhe nga paratë informale apo kriminale në ekonominë shqiptare, kryesisht në pasurinë e paluajtshme dhe bizneset fitimprurëse.

Vlerësojmë se këto luhatje ndoshta do të ndjehen edhe më shumë në vitet në vijim, prandaj e konsiderojmë se do të ishte shumë e vlefshme për të bashkuar forcat me ekspertët tuaj, për nxitjen dhe lehtësimin e politikave të eksportit, ku përfshihen politikat fiskale, ato monetare, por edhe rëndësia e reduktimit te kostove dhe te ngarkesave fiskale.

Ne mbetemi me shpresën e plotë se institucioni juaj do të na ofrojë ekspertizën  e kërkuar, e cila bazohet në faktin se ju keni eksperienca  shumë të gjatë dhe nga gati të gjitha shtetet anëtare”.

Sipas eksportuesve zhvlerësimi i monedhës euro është rreth 20% dhe rreth 13% me bazë vjetore.

Shoqatat eksportuesve kanë ngritur disa herë shqetësimin në takimet e zhvilluara me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë për thellimin e humbjeve në aktivitetet e tyre nga rënia e lartë e euros.

Në ndihmë të tyre qeveria miratoi Aktin Normativ për ngurtësimin e pagesave paraprake të tatim fitimit deri në muajin dhjetor 2023 dhe nëpërmjet një urdhri të MFE u vendos përshpejtimi në kohë i procedurave të rimbursimit të TVSH-së. Eksportuesit ngritën shqetësimin se këto masa nuk po japin efekte lehtësuese. /Monitor