zoom

In Zoom

Ekskluzive/Po fitojnë a po mashtrohen?Shqiptarët derdhen në platformën online, agjencia u kërkon ID

Prej më shumë se një muaji, në Shqipëri po përflitet një mënyrë fare e thjeshtë e të bërit para. Në chat-e private apo mes grupesh virtuale është shpërndarë ky link:

https://www.galaxyvideomedia.com

Shpjeguar shkurtimisht, filozofia e gjithë kësaj “mundësie pasurimi” është kjo: ju klikoni në adresën në fjalë, regjistroheni dhe më pas arrini të fitoni dollarë vetëm duke parë videot që ju jepen; video këto të platformës YouTube, Instagram, TikTok e të tjera.

Oferta e punësimit bëhet në emër të Galaxy Media Group, që në përshkrimin e grupit të saj në WhatsApp, me më shumë se 9 mijë shqiptarë, shkruan:

“Platforma më e besueshme e trafikut të internetit në 2022, duke punuar me miliona ndikues dhe qindra kompani multimediale”.

Të parit video dhe po kështu të fituarit para ofrohet në sajë të niveleve. Në nivelin e parë (një yll) ju mund të anëtarësoheni me një username, të shtoni të ardhura në bilacin tuaj, por fitimi është i pakët dhe thuajse i pamundur për t’u tërhqeur cash e për të rënë në duart tuaja.

Në nivelin e dytë (dy yje) fitimi është shumë më i madh, por kriteret janë të mirëpërcaktuara dhe të domosdoshme.

Siç mund ta shihni, një kriter i domosdoshëm anëtarësimi është dërgimi i CV-së, kartës së identitetit ose pasaportës.

Përpos entuziazmit që kjo platformë ka shkaktuar te përdorues të ndryshëm rrjetesh sociale, nuk ka munguar as hija e dyshimit. Një pjesë e sheh me skepticizëm këtë lehtësi fitimi, teksa ajo që i shqetëson më së shumti janë të dhënat personale,  dhënia e kartës së identitetit. Sa serioze është e gjitha kjo dhe a kanë të drejtë ata që mendojnë se e gjitha është një grackë vjeljeje informacioni?

Fillimisht, Zoom.al kreu një kërkim të shpejtë në internet për kompaninë Galaxy Media Group. Qe e pamundur të gjendej ndonjë informacion rreth saj në website-n “galaxyvideomedia.com”, nga ku të mësonim më shumë rreth kësaj kompanie. Po kështu, logoja në fjalë nuk ndeshet gjëkundi.

Më tej testuam besueshmërinë e website-t, që siç mund ta shihni rezulton 1%.

Informacionet më të detajuara krijojnë hapësirë për më shumë dyshim. Domain-i rezulton të jetë krijuar më 03/03/2022 dhe skadon në të njëjtën datë të vitit të ardhshëm (vetëm 1-vjeçar). Domosdo, një periudhë kaq afatshkurtër në treg, përkundrejt shërbimeve të kushtueshme që ofron ngjall pasiguri.

WhatsApp dhe Telegram janë dy rrjetet të vëna në dispozicion për përdoruesit, të cilët për çdo paqartësi mund të komunikojnë me liderët. Po kështu edhe vetë anëtarët flasin mes tyre. Dy platforma virtuale këto, që njihen për ruajtjen dhe sigurinë hermetike të bisedave.

Përpos Shqipërisë, Zoom.al zbulon se Galaxy Media Group operon edhe në shtatë vende të tjera:

Organizimi i punës mbetet i njëjtë:

Zoom.al kontaktoi një ekspert IT-je, i cili pohoi se anëtarë të nivelit të dytë (me dy yje) që kanë shënuar të dhënat personale dhe kanë krijuar grupe me 15-30 anëtarë të rinj kanë mundur të marrin paratë e fituara. Sidoqoftë, ai shton se kërkimi me çdo kusht, ose më saktë nxitja drejt dhënies së ID-së/pasaportës mbetet i dyshimtë.

“Sigurisht, të dhënat personale duhen për çdo transaksion bankar. Pra nga ana logjike, qëndron. Por kurdoherë që flitet për dorëzim të dhënash personale, frika e një rreziku të mundshëm është e pranishme”.

Ndërkohë, kjo ofertë punësimi ka shkuar më tej. Në redaksinë e Zoom.al kanë mbërritur këto fotografi:

Për sa kohë aktiviteti i Galaxy Media Group po gjen shtrirje në vendin tonë dhe për sa kohë ekzistojnë pikëpyetje dhe pasiguri lind nevoja e një reagimi dhe sqarimi nga autoritetet përkatëse./ Zoom.al

Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.