zoom

In Zoom

Ekskluzive/ Kandidati për deputet i Vetëvendosjes, i mbytur në borxhe në Shqipëri

Ekskluzive/ Kandidati për deputet i Vetëvendosjes, i mbytur në borxhe në Shqipëri

Në Lushnjë, një nga zonat më të rëndësishme të hortikulturës shqiptare, emri Doni Fruits ka qenë sinonim i eksportit të frutave dhe perimeve drejt tregjeve europiane. Kjo kompani, tashmë e regjistruar me një emër të ri, si Top Fruits, lidhet me një figurë që ka kaluar nga biznesi drejt politikës. Ejup Ahmeti, i cili prej vitesh qarkullon si biznesmen mes Shqipërisë e Kosovës, kandidoi për deputet për Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë.

Doni Fruits u themelua në vitin 2013 dhe gjatë viteve u shndërrua në një nga eksportuesit më të mëdhenj të frutave e perimeve në vend, duke punësuar qindra fermerë dhe duke lidhur kontrata tregtie deri në tregjet e Bashkimit Europian. Në intervista të mëparshme, vetë Ahmeti ka folur për zhvillimin e pjesëmarrjes së kompanisë në tregun shqiptar e rajonal.

Por sipas regjistrit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, subjekti ka kaluar disa masa të sekuestros konservative mbi pasuritë dhe kuotat e tij, por ato janë hequr disa herë nga gjykatat apo zyrat e përmbarimit deri më 2023, kur u ndërmor sërish një masë e tillë. Regjistri tregon gjithashtu se me vendime të asamblesë, emri tregtar është ndryshuar në Top Fruits dhe se partnerë e tjerë biznesi kanë blerë 50% të kuotave të kompanisë prej ish-bashkëpronarëve, duke përfshirë Gjonaj Group Holdings si investitor strategjik.

Këto zhvillime juridike ndodhin në një kohë kur fermerë dhe tregtarë lokalë raportojnë se industria e hortikulturës shqiptare po përballet me sfida të rënda, nga çështjet e sigurisë ushqimore deri te pezullimet e eksportit në disa raste, duke shtuar rrezikun e humbjeve financiare për partnerët dhe furnitorët e zinxhirit të prodhimit.

Ejup Ahmeti, nga miliona euro borxhe në Shqipëri në politikë në Kosovë

Ejup Ahmeti, i lindur më 7 maj 1984 në Ferizaj, kaloi në skenën politike me Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë, duke kandiduar për një vend në parlament në zgjedhjet e dhjetorit, me premtime për investime dhe zhvillim pa korrupsion.

Por politika duket se për të nuk është vetëm sfidë e pasion, por edhe strehë e sigurt. Burime të besueshme të Zoom.al tregojnë se kompania ka lënë prapa borxhe të konsiderueshme ndaj fermerëve dhe furnitorëve shqiptarë, që sipas dokumenteve financiare dhe dëshmive të mbledhura arrijnë të kapin shifrën rreth 2 milionë euro. Këto borxhe përfshijnë detyrimet për furnizime të pambaruara, pagesa të vonuara për standarde mjedisore dhe kontrata të tjera.

Ndërsa QKB regjistron disa masa sekuestrimi që lidhen me pasuritë e kompanisë, nga burimet financiare rezulton se këto nuk kanë mjaftuar për të kompensuar fermerët dhe investitorët lokalë, duke çuar në konflikte të shumta mes fermerëve dhe administratës së kompanisë.

Që në vitin 2021, figura e Ahmetit dhe aktivitetet e biznesit të tij në Shqipëri kanë qenë në qendër të akuzave edhe nga politikanë shqiptarë. Erion Braçe ka deklaruar se kompanitë si Doni Fruits kanë përfituar ndihmë të konsiderueshme publike dhe kanë qenë subjekt kritikash nga fermerët për çështje të taksave dhe tarifave të eksportit. Kjo ka bërë që aktiviteti i kompanisë të konsiderohet ndonjëherë “presion politik” ndaj qeverive lokale dhe aktorëve politikë.

Ndërsa Ejup Ahmeti hyn në skenën politike si kandidat për deputet i Vetëvendosjes dhe kompania e tij shndërrohet në Top Fruits nën një strukturë të re pronësie, pyetjet mbi borxhet e pashlyera, marrëdhëniet me fermerët shqiptarë dhe transparencën financiare mbeten të pazgjidhura.

Zoom.al po vazhdon të mbledhë dokumente shtesë, kontrata dhe dëshmi të fermerëve mbi borxhet e kompanisë së Ejup Ahmetit si dhe i ka drejtuar një sërë pyetjesh Lëvizjes Vetëvendosje mbi rastin dhe figurën e kandidatit të saj për deputet. /Zoom.al

Postime të lidhura