zoom

Aktualitet

E “tradhëtoi” baruti në duar, policia arreston Valter Bamin për atentatin në Larushkë

E “tradhëtoi” baruti në duar, policia arreston Valter Bamin për atentatin në Larushkë

Valter Bami është ndaluar këtë mbrëmje, konfirmoi policia, që sqaron se ka zbatuar një urdhër të prokurorisë së Tiranës ndaj 37-vjeçarit pas analizave kanë zbuluar “faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri”.

Burime zyrtare nga blutë bënë me dije se analizat u morën gjatë shoqërimit të 37-vjeçarit fill pas vrasjes, ku dyshohet se objektiv ishte Gentian Bejtja, ndërsa rezultatet që treguan praninë e barutit në duart e tij, dolën këtë të enjte.

Njoftimi i policisë

DVP Tiranë

Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 03.07.2023, ku në fshatin Larushkë, Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit G. B., është qëlluar me armë zjarri e si pasojë ka humbur jetën shtetasi R. S. Rreth orës 04:00 të po kësaj date, është shoqëruar shtetasi V. B., 37 vjeç, të cilit i janë marrë faktorët plotësues dhe deklarim në lidhje me ngjarjen e mësipërme e më pas është lënë i lirë, ju informojmë se:

Sot me datë 06.07.2023, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të shtetasit V. B., janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri.

Mbi bazën e këtij akti ekspertimi, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lëshuar sot më datë 06.07.2023, urdhrin e ndalimit për këtë shtetas për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Po sot, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, Nikël, është lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë shtetasi V. B., 37 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë.

Ndërkohë vazhdojnë intensivisht hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së mësipërme.

Postime të lidhura