Aplikacion
Një 22-vjeçar shqiptar ka plagosur me thikë një oficer policie në Halkidiki të Greqisë, duke i ngritur pritë jashtë banesës. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme dhe sipas dëshmive të banorëve, ky nuk ishte incidenti i parë mes të dyve.
Sipas raportimeve, 22-vjeçari kishte vepruar të paktën dy ose tre herë më parë në të njëjtën mënyrë, duke e ndjekur dhe kërcënuar efektivin 49-vjeçar të policisë, i cili jeton dhe punon në të njëjtën ndërtesë ku ndodhet biznesi i tij familjar i zdrukthëtarisë.
Sipas mediave, i riu është i njohur për përfshirje në trafik droge, edhe pse nuk ka pasur lidhje të drejtpërdrejtë me viktimën.
Polici i plagosur është dërguar në Spitalin e Poligjiros dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, agresori u arrestua menjëherë dhe po përballet me akuza për plagosje të rëndë dhe shkelje të ligjit për armëmbajtjen.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet e sulmit dhe lidhjet e mundshme të 22-vjeçarit me aktivitetin kriminal./ Zoom.al