Aplikacion
SPAK ka ankimuar në Gjykatën e Apelit vendimin e GJKKO-së për të nisur hetim mbi Olta Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj.
Prokuroria e Posaçme thotë se ka kryer veprime të shumta hetimore, të cilat kanë konsistuar ndër të tjera edhe në veprimtarinë e kryer nga shtetasi Artan Gaçi në kuadër të bashkëpunimit të supozuar apo dhe qoftë dijenisë së tij rreth ekzistencës së dokumenteve të falsifikuara, nëpërmjet të cilëve është përfituar edhe toka e llojit truall.
Organi i akuzës ndër të tjera sqaron se asnjë e dhënë e sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiksuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë subjekti i posaçëm Olta Xhaçka.
Në ankimin që SPAK ka depozituar në shkallën e dytë të gjyqësorit, thotë se çështja e hetuar më herët nga prokuroria ka kaluar në filtrin e Gjykatës së Posaçme gjatë gjykimit të çështjes penale nr 189/2023 në seancë paraprake.
Madje, shton prokurori Ols Dado, Gjykata e Posaçme ka ushtruar kontroll juridiksional, duke vendosur kalimin e dosjes ndaj Jorgo Goro për gjykim, duke pranuar kërkesën e prokurorisë, pasi ka çmuar se provat ishin të mjaftueshme për mbështetjen e akuzës.
Sipas Dados, Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkak, veçanërisht nga ato që ankuesi shtetasi Fredi Beleri parashtron, për të konkluduar se hetimet paraprake nuk ishin të plota, duke urdhëruar për pasojë plotësimin e tyre.
Në vendimin e arsyetuar të prokurorisë për mosfillim të hetimeve, sqarohet se procedimit penal ndaj Jorgo Goros nuk i ka munguar kontrolli giyqësor, qoftë gjatë hetimit paraprak apo edhe gjatë gjykimit në seancë paraprake.
Prokuroria e Posaçme shprehet se vendimi i GJKKO është i pambështetur në ligj dhe në prova i cënueshëm dhe si i tillë duhet të ndryshohet në tërësinë e tij.