zoom

Aktualitet

E bija luftoi kancerin, gazetari Met’hasani: Ajo s’donte të shfrytëzonte figurën publike për ndihmë

Gazetari dhe komentatori sportiv Dëfrim Met’hasani ka rrëfyer për herë të parë rrugëtimin e vështirë me të bijën që vuante nga kanceri.

Luna Met’hasani tashmë ka fituar betejën e saj të gjatë duke u kthyer në një histori frymëzimi për të tjetër, ndërsa i ati ka ndarë përjetimet e tij lidhur me këtë eksperiencë, ndërsa falenderon miqtë që iu gjendën pranë në momentet më të vështira.

Teksa tregon se si sëmundja u erdhi parapritur, Dëfrim Met’hasani shprehet se e bija Luna e kishte ndaluar që të kërkonte ndihmë në rrjetet sociale për të përballuar kurimin në Gjermani.

“Le ta trajtojmë rastin tim si çdo rast tjetër, mos shfrytëzo figurën tënde publike” ishin fjalët që Luna i kishte thënë të atit kur po nisej drejt Gjermanisë.

“Sëmundja erdhi krejt papritur. Ajo ka qenë vajza më e shëndetshme nga 3 vajzat që kam, por sëmundja është një gjë që vjen pa ftuar dhe janë taksirate që zoti i sjell ndoshta edhe për të provuar njerëzit. Kjo na vuri në një test prove ne si prindër se sa jemi në gjendje për ta përballuar atë qa na ndodhi. Lajmi ishte i papritur, ajo pa një gjëndër në fyt dhe nga ai moment iu nënshtruar ekzaminimeve që përgjigja doli se vajza vuante nga kanceri që nuk mund ta kuronin në Shqipëri. Ne kemi mjekë duarartë dhe këtu nuk realizohej dot jo për faj të tyre.  Zgjodha Gjermaninë se mbesa ime u kurua vite më parë aty. Tumori kishte përhapur metastaza dhe kjo kishte rritur vështirësitë në kurim. Morëm rrugën e vështirë por jo të pamundur drejt Gjermanisë. U zbulua dhe na morën përsipër për ta kuruar, problemi ishte edhe i financimit pasi kosto ishte shumë e lartë. Ajo vendosi një kusht që të mos e nxirrja në rrjetet sociale dhe të mos e kthente sëmundjen në pazar, por ta zgjidhnim me miqtë dhe njerëzit tanë. Dhe kështu bëra. Duke folur me miqtë pa më thënë e kishte postuar dhe bërë publike. Vajza me merr nga Gjermania e alarmuar sepse nuk donte. Vajza nuk donte pasi nuk dëshironte të krijonte spekulime. Ajo tha se ti je një njeri publik dhe tregon se e zgjidh kështu, po ato familje që nuk janë publike dhe kanë fëmijët sëmurë me kancer si do e zgjidhin. Le të rrimë dhe ne si një rast si gjithë të tjerat”, u shpreh Dëfrim Met’hasani.

Vështirësitë të bëjnë më të fortë, tha Met’hasani, i cili në mesazhin e tij kërkoi që njerëzit të tregohen më human dhe solidarë me njeri tjetrin.

“Kjo sfidë të bën më të fortë dhe të respektosh më shumë njerëzit dhe të bëhesh humanist ky ëhstë mesazhi që dua të jap. Për të qenë njeri i mirë e kemi vetë në dorë dhe kjo më bëri që të jem edhe më paranë njerëzve. Kur jemi bashkë edhe hallet dhe sëmundjet bëhen më të lehta”, tha ai.