zoom

Aktualitet

“e-Albania leaks”/ Tjetër skandal, rrjedhin pagat dhe të dhënat personale të mijëra të punësuarve

 

Një tjetër “shkarje” nga ana e institucioneve publike po diskutohet gjerësisht ditët e fundit. Diskutimi rrotullohet rreth disa informacioneve konfidenciale që kanë lidhje me pagesat e deklaruara të mbi 5000 shqiptarëve të punësuar.

Informacionet në data-bazën që po qarkullon nëpër whatsapp-et e kuriozëve dhe atyre që rastësisht janë nëpër grupe i referohet rrogës së janarit të vitit 2021. Me shumë gjasa te pagesa e janarit janë përfshirë edhe bonuset vjetore që shumë kompani dhe institucione japin për punonjësit duke i fryrë paksa pagesat.

Redaksia e zoom.al për momentin nuk mund të konfirmojë nëse kjo data-bazë është e vërtetë apo jo pasi të gjitha institucionet përkatëse të cilat kemi kontaktuar nuk kanë marrë përsipër që të përgjigjen.

Nëse të dhënat vërtetohen, kjo do të ishte rrjedhja e dytë e informacioneve publike nga ana e institucioneve publike brenda një viti. Kjo do e vinte në pozita qesharake të gjithë infrastrukturën e sigurisë së të dhënave tek e cila shteti trumbeton se ka bërë investime shumë të rëndësishme.

Kujtojmë që para zgjedhjeve skandali ishte me nxjerrjen e të dhënave të të gjithë shqiptarëve mbi 18 vjeç ku përveç informacioneve mbi gjeneralitetin e të gjithëve mësuam edhe orientimin politik të të gjithë atyre që njohim dhe nuk njohim.

Situata bëhet transformohet në akoma më komike. Për të aksesuar të dhënat e tua personale në e-Albania ti ke nevoje për tu futur nëpërmjet një fjalëkalimi (password) ose shenjave biometrike të gishtit ndërkohë që nga një grup në whatsapp ku ti mund te gjendesh edhe aksidentalisht akseson të dhënat e gjithë shqiptarëve. Një burim i besueshëm i tha Zoom.al se të dhënat mund të kenë rrjedhur edhe nga Tatimet, çka do ta thellonte akoma më shumë këtë skandal. /Zoom.al

Rrjedhje informacioni

Rrjedhje info nga e-Albania