zoom

Aktualitet

Dumani plas “sekretet” në tryezë/ 10 persona në prangat e SPAK, misteri i porosisë për vrasje

Pas disa kohësh në qeli, Nuredin Dumani vendosi të bashkëpunonte me policinë, duke dëshmuar gjithçka për bashkëpunëtorët e tij kriminalë.
Dëshmia e tij ka vendosur autoritetet në lëvizje, duke firmosur në total 32 urdhër-arreste dhe 15 urdhër-kontrolle. Mësohet se Dumani  ka zbuluar të dhëna të sakta për bosë të bandave kriminale në disa qytete të Shqipërisë, më konkretisht, Tiranë, Fier, Lezhë dhe Elbasan.

Në operacionin e ndërmarrë nga SPAK, deri më tani janë arrestuar 10 persona, 2 prej të cilëve në Tiranë. Ndërkohë, urdhër-arreste janë lëshuar për Ervis Martinajn, Suel Çelën (në kërkim), Kamber Mehajn, Talo Çelën dhe Sokol Sanxhaktarin.

Ky i fundit ndodhet prapa hekurave i akuzuar për vrasje, mirëpo pas dëshmisë së Dumanit janë zbuluar implikime të tjera të tij. Sakaq, Dumani ka treguar detaje edhe mbi një porosi vrasje, e cila nuk u çua asnjëherë deri në fund. Sipas tij, një bos krimi, i kishte ofruar 100 mijë euro për vrasjen e një personi, por që ekzekutimi nuk u krye për arsye ende të paditura.

Dumani u arrestua pak kohë më parë në Fier, fill pas atentatit të dështuar ndaj tij. Ai u qëllua me breshëri plumbash pranë Elbasanit, por që arriti t’ia hidhte vetëm me një plagë në shpatull. Nuredin Dumani përdorej si vrasës me pagesë nga bandat kriminale në vend.