zoom

Aktualitet

Dosja e mbetjeve të rrezikshme, pranga inspektorit të Portit të Durrësit

Dosja e mbetjeve të rrezikshme, pranga inspektorit të Portit të Durrësit

Zhvillime të reja janë shënuar në hetimin që lidhet me çështjen e kontejnerëve të dyshuar me mbetje të rrezikshme, ku Policia e Durrësit ka ndaluar një zyrtar të Autoritetit Portual.

Në pranga ka rënë 37-vjeçari Xhulio Golgota, me detyrë inspektor pranë Portit të Durrësit. Ai ishte shpallur në kërkim më herët, ndërsa ndaj tij ishte vendosur masa e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendim të datës 3 shkurt 2026.

Sipas Policisë, Golgota dyshohet për veprën penale “shpërdorim detyre”, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për administrimin dhe kontrollin e kontejnerëve të përfshirë në këtë çështje.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se ai është një nga 33 personat për të cilët gjykata ka caktuar masa sigurie, ndërkohë që 12 persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim, pasi dyshohet se kanë lidhje me të njëjtin hetim.

Arrestimi u krye nga specialistët për hetimin e krimeve ekonomiko-financiare, të cilët po ndjekin dosjen që lidhet me procedurat dhe përgjegjësitë institucionale në këtë rast./ Zoom.al

Postime të lidhura