zoom

Aktualitet

Djali i saj u vra nga Kamberi, reagon nëna e berberit italian

Djali i saj u vra nga Kamberi, reagon nëna e berberit italian

Nëna e berberit italian që u ekzekutua nga banda me në krye një shqiptar ka reaguar për herë të parë pasi autoritetet italiane dhe ato shqiptare zbardhën vrasjen e 26-vjeçarit Francesco Diviesti.

Ajo tha se familja kishte pritur prej kohësh një përgjigje nga drejtësia italiane, ndërsa shtoi se ende nuk arrin të kuptojë lidhjen që mund të kishte djali i saj me personat e përfshirë në trafikun e drogës.

“Nga sot e dimë se djali ynë u vra nga njerëz të rrezikshëm.

Kam vetëm një pyetje: çfarë lidhjeje kishte djali im me këta njerëz?”, deklaroi e ëma e viktimës, duke theksuar se Francesco nuk kishte precedent penal, punonte prej vitesh si parukier në biznesin familjar dhe ishte baba i një fëmije.

I riu, i cili punonte si parukier në qytetin e Barlettës, rezultonte i zhdukur prej 25 prillit 2025. Katër ditë më pas, trupi i tij u gjet i pajetë në një zonë të izoluar mes Minervinos dhe Canosas, në rajonin e Puglias.

Sipas autoriteteve italiane dhe prokurorisë antimafia në Bari, ngjarja lidhet me një konflikt të dyshuar për një borxh droge me vlerë prej disa qindra eurosh. Hetuesit dyshojnë se Francesco është marrë me forcë nga persona të armatosur dhe më pas është vrarë me armë zjarri. Për të zhdukur provat dhe për të përhapur frikë në botën kriminale, autorët dyshohet se i kanë vënë zjarrin trupit të viktimës.

Për këtë ngjarje, autoritetet italiane kanë arrestuar shqiptarin Igli Kamberin, Nicola Di Benedetton dhe Antonio Lanotten, të cilët dyshohen si autorët kryesorë të rrëmbimit dhe ekzekutimit të të riut. Dy persona të tjerë janë vënë nën hetim për ndihmë ndaj autorëve dhe fshehje informacioni.

Sipas hetimeve, grupi kriminal i drejtuar nga Kamberi ishte i përfshirë prej kohësh në trafikun e narkotikëve në zonën e Puglias, ndërsa fitimet e përfituara dyshohet se pastroheshin përmes lidhjeve në Shqipëri./ Zoom.al

Postime të lidhura