Aplikacion
Nga Zoom.al
Nëse mendonit se grupi parlamentar i Partisë Socialiste merret me hartimin e ligjeve dhe politikat e qeverisjes, gaboheni rëndë! Kohët e fundit, Selia Rozë po shndërrohet në një zyrë ankese kundër SPAK, ku të prekurit nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme vijnë të qajnë hallet dhe të kërkojnë ngushëllim politik.
Qarja e halleve nisi me kryetaren e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, deputeten Klotilda Bushka, e cila nisi të tregonte se nuk ia kishte marrë telefonin Ina Goxhajt për të fshehur provat e vjedhjes nga Ajola Xoxa, por i kishte qëndruar afër për ta këshilluar, ngushëlluar, inkurajuar, jo për ta instruktuar.
Për Bushkën, grupi i PS është shtëpia e vet. Por sot grupi i hapi dyert edhe për popullin. Duke parë që Bushkës nuk i doli edhe aq keq, pasi Edi Rama e “sakatoi” SPAK-un me akuza, derës së këtij grupimi i ra edhe rektori i Universitetit Bujqësor.
Fatbardh Sallaku, i cili me një shpirt të ngarkuar nga pesha e 24 masave të sigurisë ndaj pedagogëve dhe punonjësve të universitetit, trokiti aty për të kërkuar empatinë e socialistëve se SPAK po arreston njerëz për korrupsion! Dhe këto arrestime, thotë ai, po prishin imazhin e Universitetit në botë. Një tmerr i vërtetë! Si mundet SPAK ta bëjë këtë?
Tani që SPAK ka futur në shënjestër kryetarë bashkish, ish-ministra dhe deputetë socialistë dhe Rama ka nisur goditjet me batare kundër kësaj prokurorie, grupi parlamentar i PS duket sikur po shndërrohet në një grup mbështetjeje për të gjithë ata që po ndiqen nga drejtësia e re. Ku tjetër mund të ankohen më mirë, përveçse në prehrin e partisë që ka shumë halle të hapura me SPAK-un?
Takimi javor i të prekurve nga SPAK
Duke parë këtë trend në rritje, ndoshta është koha që Partia Socialiste të institucionalizojë këtë praktikë dhe të caktojë një ditë fikse në javë për të dëgjuar ankesat kundër SPAK.
Për shembull:
E mërkura e Ankesave – Një ditë e veçantë ku të gjithë ata që ndihen “të keqtrajtuar” nga SPAK mund të vijnë dhe të ndajnë përvojat e tyre traumatike. Lista e pjesëmarrësve mund të përfshijë:
• Kryetarë bashkish që s’e kanë kuptuar se fondet publike s’mund të shkojnë në xhepat e tyre.
• Ish-ministra e drejtorë që janë të hutuar nga fakti që një tender s’mund të ndahet pa garë dhe pa marrë ata pjesën e vet.
• Deputetë që janë të tronditur nga ideja që mund të hetohesh kur pengon hetimet.
Përfitimet e këtij programi:
•Solidaritet kolektiv: Të gjithë të hetuarit mund të ndajnë eksperiencat dhe të ngushëllojnë njëri-tjetrin.
•Strategji të reja mbrojtjeje: Mund të diskutojnë mënyra të reja për t’i shpëtuar drejtësisë.
•Mbështetje nga lidershipi: Kush më mirë se Kryeministri mund t’i udhëzojë si të luajnë viktimën?
PS – Shtëpia e të penduarve politikë
Kryeministri Edi Rama e ka shprehur qartë shqetësimin e tij se SPAK po dëmton imazhin e institucioneve dhe individëve. Dhe kush më mirë se ai mund ta dijë këtë kur vetë partia e tij po përballet me një ortek hetimesh? Kryebashkiakë si Erion Veliaj, ish-ministra si Ilir Beqja, deputetë si Klotilda Bushka dhe madje edhe zyrtarë të rëndësishëm brenda Kryeministrisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës janë nën lupën e SPAK-ut.
Për të gjitha këto arsye, është e qartë se PS është vendi ideal për të qarë hallet me drejtësinë. Le të hapen dyert! Le të organizohen tryeza të rrumbullakëta me të gjithë ata që ndihen të keqtrajtuar nga ligji. Ndoshta, në fund të takimeve, mund të miratohet edhe një rezolutë e përbashkët për të dënuar SPAK-un për prishjen e imazhit të korrupsionit shqiptar.
Me këtë ritëm, ndoshta në të ardhmen nuk do të kemi më nevojë për sistem drejtësie fare. Sepse, nëse korrupsioni është problem, atëherë zgjidhja është e thjeshtë: heqim SPAK-un dhe s’kemi më pse të shohim, Ramën, Veliajn, Ilir Beqajn, Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Saimir Tahirin, Arben Ahmetajn, Fatos Tushen, Rexhë Byberin, Klotilda Bushkën apo Bardhin e UBT të qahen për prekje imazhi.