zoom

Sport

Dilema e Ancelottit: Pas Realit ndoshta do të ndalem, Benzema e meriton Topin e Artë

Carlo Ancelotti flet për herë të parë për daljen në pension, edhe pse për momentin kjo ditë duket larg, ndonëse ai e pranon se i mungon koha e lirë.

“Pas Realit, po, ndoshta do të ndalem. Nëse klubi më mban këtu për dhjetë vjet, unë do të drejtorj për 1 dekadë tjetër. Por unë do të doja të isha me nipërit e mbesat e mia, të shkoja për pushime me gruan time, ka shumë gjëra për të bërë që i kam lënë jashtë për shkak të profesionit dhe që do të doja t’i bëja. Të vizitoja vende ku nuk kam qenë kurrë. Për shembul në Australi, në Rio de Zhaneiro. Të takoj motrën time më shpesh. Fatkeqësisht, nuk është se mund të bësh gjithçka, kështu që ditën që do të heq dorë, do të kem kohë për t’i bërë të gjitha këto”, rrëfeu trajneri italian.

Ancelotti ka vetëm fjalë të shkëlqyer për Karim Benzema, i cili po përjeton sezonin e tij më të mirë në karrierë.

“Një nga karakteristikat e karrierës së tij ka qenë vazhdimësia. Gjithmonë ka përparuar, nuk ka pasur ulje-ngritje, ka qenë vazhdimisht në nivele të larta. Ndoshta tani është në nivelin më të lartë. Karimi nuk duhet të trajnohet, por as të menaxhohet. Ai duhet të përdoret. Benzema e menaxhon veten sepse është një profesionist i madh, shumë modest, një lojtar i madh. Atij nuk i thuhet asgjë, kjo është e vërteta. Ai na ka zgjidhur shumë ndeshje, ka qenë vendimtar këtë sezon. Për momentin ai është një nga lojtarët më të famshëm në botë dhe ruan një përulësi të madhe dhe besoj se kjo është forca e tij. Dhe ai do të fitojë Topin e Artë. Por nuk fitohet vetëm për Benzema, pasi ka strukturën e fortë të një klubi të fortë dhe cilësinë e një skuadre të nivelit të lartë”.

Vitin e ardhshëm, tifozët mund të ëndërrojnë për një trident Benzema-Vinicius-Mbappé. “Në përgjithësi, lojtarët e mirë luajnë bashkë…”, tha “Don Karlo”.

Ancelotti nuk e fsheh interesin për të drejtuar një kombëtare, e cila do të ishte qershia mbi tortë e një karriere të paimitueshme. “Po, do të kishte një kombëtare, por jo tani. Për në 2026, pse jo. A mund të ishte Kanadaja? Pse jo? Do të doja, sigurisht, ata bënë shumë mirë”. /zoom.al/