zoom

Lajme

Dhimbje gjatë s*ksit dhe afshe të nxehta, simptomat e menopauzës! Mësoni ç’ndodh gjatë kësaj faze

Menopauza është ndërprerja përfundimtare e periodave për shkak të ndërprerjes së funksionit të vezoreve. Menopauza zakonisht paraprihet nga një periudhë e ndërprerjes hormonale dhe periudhave të çrregullta të quajtura klimakterike.

Mosha mesatare e menopauzës për popullsinë evropiane është 51 vjeç, e cila nuk duket të ndryshojë me kalimin e kohës. Përkundrazi, jetëgjatësia e njerëzve po rritet vazhdimisht për shkak të rritjes së standardeve të jetesës dhe përparimeve të shkencës mjekësore.

Rreth një të tretën e jetës së saj një grua do të kalojë në menopauzë. Për këtë arsye, çdo grua duhet të dijë ndryshimet që sjell menopauza në shëndetin e saj, si dhe mënyrat se si mund të parandalojë apo të përballet me efektet e mundshme të menopauzës.

Cilat janë simptomat që karakterizojnë menopauzën?

Rritje e papritur e temperaturës së trupit nga gjoksi lart që zgjat për disa minuta dhe më pas ulet me djersitje. Kur afshet e nxehta ndodhin gjatë natës, ato krijojnë pagjumësi.

Karakteristike është edhe alternimi i emocioneve, me mbizotërim të nervozizmit dhe ndjenjës së depresionit. Pamundësia për t’u përqëndruar, vështirësitë në kujtesë, mungesa e energjisë, lodhja e lehtë dhe dhimbjet e kyçeve janë simptoma që shfaqen edhe në fillim të menopauzës.

Ndikim domethënës ka edhe në seksualitetin e gruas, me uljen e dëshirës seksuale, shfaqjen e thatësisë në vaginë dhe dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale. Gjithashtu, një problem i shpeshtë është shtimi në peshë, me akumulimin e yndyrës në bark, i cili është tregues i rritjes së rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare.

Efektet afatgjata në shëndetin e gruas

Këtu përfshihen osteoporoza, shfaqja e së cilës lidhet drejtpërdrejt me hyrjen e gruas në periudhën e menopauzës dhe sëmundjet kardiometabolike. Osteoporoza rezulton në thyerjen e kockave pas një traume minimale, si p.sh. rënia në tokë gjatë ecjes, apo edhe pa lëndime, siç është kolapsi vertebral. Rreziku i zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare dhe metabolike, si diabeti mellitus, hipertensioni, infarkti i miokardit dhe goditjet në tru, rritet ndjeshëm gjatë menopauzës për shkak të heqjes së efektit mbrojtës të estrogjenit në enët e gjakut.

Çfarë është menopauza e hershme

Në 7%-10% të femrave menopauza ndodh më herët se 45 vjeç që konsiderohet si kufiri më i ulët normal. Kjo gjendje quhet menopauzë e hershme. Është vlerësuar se 1%-3% e femrave ndalojnë menstruacionet para moshës 40 vjeçare. Ky fenomen quhet insuficiencë e hershme ovariane dhe shfaqet më shpesh tek femrat me histori familjare të menopauzës së hershme, tek femrat që i janë nënshtruar procedurave gjinekologjike, si dhe tek femrat që i janë nënshtruar radioterapisë apo kimioterapisë.

Gratë që përjetojnë simptoma të rënda kanë nevojë për terapi hormonale. Terapia hormonale është zëvendësimi i hormoneve normale të prodhuara nga vezoret e gruas në dozën më të vogël të mundshme. Grave me mitër u jepet një kombinim i estradiolit dhe progesteronit (dy hormonet që sekretohen normalisht tek një grua që ka menstruacionet), ndërsa grave të cilave u është hequr uterusi u jepet vetëm estradiol. Trajtimi mund të jepet në formë pilule ose transdermale ( xhel që aplikohet në lëkurë). Nëse një grua ka simptoma vetëm nga sistemi gjenitourinar, atëherë estrogjeni futet në vaginë, në formën e supozitorëve vaginalë ose xhelit vaginal.

Dështimi i parakohshëm i vezoreve konsiderohet një sëmundje, pasi shoqërohet me një rritje 3 deri në 6 herë rrezikun e osteoporozës, sëmundjeve të parakohshme të zemrës, demencës dhe depresionit, krahasuar me menopauzën normale. Prandaj, të gjitha gratë me dështim të hershëm ovarian duhet të marrin terapi zëvendësuese hormonale, pavarësisht nga prania e simptomave. Kohëzgjatja e trajtimit është zakonisht deri në moshën normale të menopauzës, pra 50-52 vjeç.

Rreziku i osteoporozës

Humbja e masës kockore vërehet te të gjitha gratë pas menopauzës. Megjithatë, jo të gjitha gratë do të zhvillojnë një frakturë osteoporotike. Ka faktorë që rrisin rrezikun e frakturës dhe ata janë:

-Histori frakture në të kaluarën

-Histori familjare e frakturës, kryesisht në të afërmit, pra prindërit dhe vëllezërit e motrat

-Peshë shumë e ulët trupore

-Pirja e duhanit

-Abuzimi me alkoolin

-Jeta sedentare dhe mungesa e ushtrimeve fizike

-Dendësia e ulët kockore

-Ilace që ndikojnë tek forca e kockave, të tilla si kortizoni dhe

-Sëmundjet që ndikojnë në forcën e kockave, si artriti reumatoid.

Këshilla për t’u mbrojtur nga osteoporoza

Gratë mund të mbrohen nga rreziku i osteoporozës në mënyrat e mëposhtme:

– Rritni konsumimin e ushqimeve që përmbajnë kalcium, si qumështi, kosi, djathi, perimet me gjethe jeshile, peshku i vogël.

– Optimizimi i niveleve të vitaminës D në gjak. Kjo varet nga ekspozimi i lëkurës ndaj diellit. Nivelet mund të maten me një analizë gjaku dhe të korrigjohen nëse janë të ulëta me një suplement dietik të vitaminës D

– Aktiviteti fizik, si p.sh. ecje gjysmë ore në ditë. Përveç kësaj, rekomandohen ushtrime që forcojnë muskujt dhe ndihmojnë në ekuilibrin për të shmangur rëniet.

– Ndalo duhanin.

– Konsumimi i moderuar i alkoolit.

– Sigurimi i kushteve që parandalojnë rëniet: qilima që nuk rrëshqasin, ndriçimi i mirë i dhomës, shmangia e sipërfaqeve të rrëshqitshme (p.sh. rrugët me borë ose të lagësht), këpucët me thembra që nuk rrëshqasin, sigurimi i shikimit të mirë, shmangia e ilaçeve që shkaktojnë çrregullime të ekuilibrit.

A ka medikamente që parandalojnë frakturat?

Depistimi për osteoporozën zakonisht bëhet rreth kohës së menopauzës. Ju kujtojmë se shpesh femrat në këtë fazë të jetës së tyre përjetojnë simptoma që u prishin cilësinë e jetës, si afshe të nxehta, djersitje gjatë natës, çrregullime të gjumit, lodhje, humor depresiv, ankth, nervozizëm dhe dhimbje koke.

Pra, kur kërkohet trajtimi i osteoporozës në këtë fazë, alternativa më e mirë është terapia hormonale, sepse trajton si osteoporozën ashtu edhe simptomat e menopauzës. Më vonë, kur simptomat e menopauzës do të zhduken, por rreziku i frakturës do të vazhdojë të ekzistojë, atëherë mund të administrojmë preparate të tjera johormonale, të cilat ose reduktojnë humbjen e masës kockore, ose rrisin sintezën e kockave të reja, duke rritur kështu forcën e kockave dhe të zvogëlojë rrezikun e frakturës.

Një rrjedhë normale

Menopauza është një ngjarje normale në jetën e një gruaje. Megjithatë, simptomat që shkakton duhet të raportohen dhe trajtohen. Sot ka shumë mundësi të sigurta për trajtimin e simptomave të menopauzës dhe parandalimin e sëmundjeve kronike, në mënyrë që gruaja të sigurojë cilësinë e jetës, shëndetin dhe jetëgjatësinë.

Postime të lidhura