Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga shpërthimi me tritol i ndodhur në orët e mbrëmjes së të shtunës, në derën e banesës së 63-vjeçares Bakie Zoto.
E moshuara është nëna e Gentjan Zotos, i dënuar me 35 vite burg nga Gjykata e Apelit.
“Vetëm jetoj. Erdhi dhe policia. Më shumë u bë tym. Jo fare asnjë konflikt. Kam kaq vite këtu në lagje. Nuk e di, jam habitur dhe vetë,”- ka deklaruar Bakie Zoto pas ngjarjes.

Në foto: Bakie Zoto
Gentjan Zoto, djali i saj është dënuar me 35 vite burg nga Gjykata e Apelit si pjesë e grupit që kreu atentatin ndaj Inez Hajrullës më 10 maj 2019 në Vlorë. Për këtë ngjarje janë dënuar edhe disa persona të tjerë, përfshirë Daut Elmazin, Igli Memajn, Serxho Adem dhe Albano Goxhajn. Në atentatin e vitit 2019, Hajrulla shpëtoi nga plagosja, por rastësisht u plagos Dajko Cenodemaj, i cili ndodhej duke pirë kafe me miqtë e tij në Lungomare.
Sipas hetimeve, gjatë atentatit, autorët ishin të vendosur brenda një automjeti tip “Land Rover” me ngjyrë jeshile dhe mbanin maska. Ata qëlluan me armë në drejtim të Hajrullës dhe u larguan me shpejtësi, duke u përplasur me dy automjete të rastit pranë Bashkisë Vlorë.
Më pas automjeti u gjet i djegur në afërsi të fshatit Babicë e Vogël, ku brenda tij u sekuestruan dy automatikë të djegur dhe një dorezë plastike e djegur pjesërisht.
Ngjarja dyshohet se kishte lidhje me larje hesapesh mes grupeve rivale kriminale në Vlorë./ Zoom.al