Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në Pogradec, ku dy adoleshentë 16-vjeçarë qëlluan me kallashnikov në drejtim të banesës së një 42-vjeçari, në maj të këtij viti.
Dy të rinjtë, me inicialet M. K. dhe J. H., të njohur për policinë si persona problematikë, rezulton se pas ngjarjes e kanë fshehur armën në varrezat e qytetit.
Hetimet kanë zbuluar se për gati tre muaj, adoleshentët e lëviznin armën herë pas here në varre të ndryshme, për të shmangur zbulimin nga policia.
Lëvizjet e vazhdueshme të kapakëve të varreve ku fshihej arma, kishin ngjallur shqetësim te familjarët që vizitonin të afërmit e tyre. Shumë prej tyre denoncuan në polici se varret po dëmtoheshin, duke dyshuar se bëhej fjalë për tentativa grabitjeje.
Këto denoncime u kthyen në sinjalin kryesor për hetuesit, të cilët pas kontrolleve në varreza gjetën kallashnikovin që ishte përdorur në ngjarjen e majit.
Pas gjetjes së armës, policia shoqëroi dy të rinjtë në mbrëmjen e së hënës. Pas disa orësh marrje në pyetje, ata pranuan se ishin posedues të armës automatike dhe se e kishin përdorur për të qëlluar drejt banesës së 42-vjeçarit.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej tyre u sekuestruan municion luftarak, një dorezë metalike dhe një gëzhojë arme zjarri.
Të miturit akuzohen për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Dhunimi i varreve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, të kryera në bashkëpunim./ Zoom.al