Aplikacion
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me arrestimin e katër efektivëve të policisë në Sarandë, të dyshuar për përfshirje në një skemë ryshfeti që lidhet me lejimin e një ndërtimi pa leje në zonën bregdetare të qytetit.
Sipas burimeve policore, objekti në fjalë dyshohet se është ngritur në një pronë që më herët rezultonte në emër të Isuf Jaçajt, i cili mbeti i vrarë pas një shpërthimi me tritol në automjetin e tij në tetor të vitit 2025.
Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se pas ngjarjes kriminale mund të qëndrojë një grup i organizuar me bazë në Kamëz, i cili dyshohet të jetë përfshirë edhe në episode të tjera kriminale në Sarandë.
Në pronën që dyshohet se është marrë me forcë nga ky grup, po ndërtohej së fundmi një “beach bar” për sezonin turistik veror. Pikërisht për lejimin e këtij ndërtimi pa dokumentacion përkatës, dyshohet se shefi i Komisariatit të Sarandës dhe tre vartës të tij kanë marrë ryshfet.
Operacioni u zhvillua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila çoi në ndalimin e katër efektivëve, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur lidhjet e mundshme mes zyrtarëve të policisë dhe grupit kriminal të dyshuar.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë ndaluar me iniciativë punonjësit e policisë:
• Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;
• Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
• Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
• Inspektor Robert Çullaj, specialist zone;
ndaj të cilëve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale:
• “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
• “Kryerja e veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal;
• “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, parashikuar nga neni 251 i Kodit Penal; të kryera në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta funksionarë policie dyshohet se kanë lejuar dhe favorizuar ndërtime pa leje në qytetin e Sarandës, duke mos ndërmarrë masat ligjore për ndërprerjen e paligjshmërisë dhe duke kryer veprime procedurale në kundërshtim flagrant me Kodin e Procedurës Penale.
Sipas të dhënave hetimore, personat nën hetim dyshohet se kanë krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, shmangie të përgjegjësisë ligjore dhe favorizim të subjekteve të lidhura me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme”, njoftoi një ditë më parë AMP./ Zoom.al