zoom

Aktualitet

Dështimi i realizimit të hartës së Shqipërisë te kulla më e lartë e Tiranës

Në botë nuk janë të pakta rastet e ndërtesave të “shëmtuara”, të cilat në shumë raste janë produkt i mungesës së vizionit  të projektuesit dhe në disa raste janë produkt i realizimit të dobët të idesë në praktikë. Kjo e dyta, më së shumti për të ulur kostot, pasi janë mashtruar autoritetet me projekte “madhështore” në letër.

Në listën e shkurtër të dhjetë ndërtimeve më të shëmtuara në botë renditet edhe ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, e ndërtuar në vitin 1974 si një kombinim i kubeve të veshura me membranë skeletore çeliku dhe kupolave që simbolizojnë trurin dhe dijen.

Specialist të fushës thonë se në këtë rast kemi të bëjmë me një zbatim  të keq idesë.

Por dështimi i fundit vjen nga Tirana. Bëhet fjalë për “DownTown One” kulla më e lartë në trojet shqiptare, me afro 40 kate mbi nivelin e tokës dhe me një lartësi 140 metra.

E dizajnuar nga firma holandeze “MVRDV”, e arkitektit të njohur ndërkombëtar Vini Mass, kjo ndërtesë super e lartë do të përmbajë një përzierje të njësive tregtare dhe rezidenciale, disa prej të cilave do të dalin nga fasada e ndërtesës.

Por përveç lartësisë, ajo që synonte ta bënte të veçantë këtë ndërtesë ishte fasada e saj në anën ballore, ku nëpërmjet kubeve të ndërtimit, synohej të ndërtohej në trupin e saj një hartë të copëzuar eShqipërisë, ku banorët do jenë në gjendje të identifikojnë banesën e tyre në bazë të gjeografisë së vendit.

Si ide dhe dizajn natyrisht që bëhet fjalë për një projekt të guximshëm. Por nuk duket të jetë në po të njëjtin nivel realizimi i kësaj ideje.

Kjo më poshtë është foto e projektit se si duhet të ishte kulla.

Projekti i kulles Downtown

Pas më shumë se 3 vjet nga nisja e punimeve, ndërtesa është drejt fundit dhe nga ana e jashtme punimet thuajse kanë përfunduar në mbi 90 për qind të tyre.

Por ajo që arrihet të shihet deri më tani, megjithëse një pjesë e madhe e pjesës së jashtme është ende e mbuluar nga skelat, është se ajo që do të sillte një revolucion në arkitekturën në Tiranë, nuk është gjë tjetër veçse një dështim. Krejt larg realizimit.

Kulla Downtown

Harta e Shqipërisë në trupin e godinës nuk ekziston. Ajo çfarë ka dalë nuk ka asnjë lidhje me projektin. Ajo që dukej në maketet dhe dizajnin e projektit thuajse është e huaj dhe nuk ngjason fare me atë që është mundur të realizohet në zbatimin e projektit.

5 – 6 ballkonet që kanë dalë nuk kanë asnjë domethënie.

Ndoshta është realizimi i dobët i kësaj ideje arsyeja që edhe pse punimet e jashtme janë përfunduar, ndërtuesi nuk ka vendosur ende të heq skelat dhe të nxjerrë në pahë plotësisht katrahurën e asaj që ka mundur të ndëqrtojë.

Por arkitektë të pyetur nga Zoom.al thonë se dështimi nuk ka të bëjë shumë me vështirësinë, por me kostot.

Nëse do të ishte realizuar harta e Shqipërisë, sipas projektit, kostot do të kishin qenë tepër të larta.

Megjithatë, sipas tyre, ndërtuesi do të duhej ta zbatonte projektin me përpikmëri sicc e ka marrë lejen.

Në këtë rast, edhe pse projekti mban firmën e një prej studiove më të njoihura në botë, për ndërtuesin vlen më shumë volumi i ndërtimit dhe fitimi prej tij sesa zbatimi i projektit që do të shtonte kostot, përveccse është një detyrim ligjor. Dhe peshën e dështimit nuk e kanë vetëm ai dhe investitori, por drejpërdrejtë edhe kryeministri Edi Rama, pasi ideja e hartës së Shqipërisë mbi atë fasadë ka qenë pikërisht ideja e tij. /Zoom.al