zoom

Politikë

Deputetja Pampuri për buxhetin: Më shumë para për Check Up dhe PPP-të nga xhepat e shqiptarëve!

Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, ka komentuar projekt buxhetin e ri për vitin e ardhshëm ndërsa akuzon mazhorancën se po përpiqet ta kalojë në mungesë tëplotë transparence.

Përmes një deklarate për mediat, deputetja demokrate thotë se përmes këtij buxheti, qeveria kërkon të rrisë sërish mbështetjen për kontratat koncesionare dhe PPP-të.

Pampuri shton se ndonëse është provuar edhe nga KLSH se Check Up ka dështuar, sërish qeveria “do të vazhdojë të ndajë edhe më shumë para për Check Up me një fond prej 876 milion lekë ose 8.2 milion euro, duke e çuar faturën për 4 PPP të Shëndetësisë në plot 50 milion euro për vitin e ardhshëm.”

Deklaratë e Partisë Demokratike, nënkryetarja Orjola Pampuri:

“Projekt-Buxheti për vitin 2024 po kalon në mungesë të plotë transparence për qytetarët dhe duke mos krijuar një funksionim normal të kontrollit parlamentar, mazhoranca po përpiqet me çdo kusht ta kalojë në amulli të plotë. Dukshëm Qeveria rrit mbështetjen buxhetore për PPP-të e koncesionet, përfshirë ato të Shëndetësisë, që për këtë vit do të paguhen më shtrenjtë për xhepat e qytetarët shqiptarë. Plot 12.5 milion euro më shumë.

Ndërkaq një ndër koncesionet më famëkeqe të kësaj Qeverie, ai i Check-Up, i provuar dhe nga auditimi i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, se përgjatë vitit 2022, ky koncesion është faturuar për më shumë se 20 mijë ekzaminime mjeksore të pakryera. Pra edhe pse koncesioni nuk i ka kryer ato kontrolle, Qeveria ka vijuar të paguajë plot 37.2 milion lekë ose 350 mijë euro nga buxheti i shtetit, për një shërbim që nuk iu është ofruar qytetarëve.

Ky nuk është një rast i veçuar pasi dhe në kontrolle të mëparshme koncesionari ka raportuar një numër kontrollesh edhe më të ulta se vetë numri i kontrolleve të parashikuara sipas kontratës për një vit.

Dukshëm Check-Up ka dështuar ta bëjë këtë.

Kjo mund evidentohet, sipas KLSH, nga rritja e kostove të trajtimit të sëmundjeve dhe rimbursimit të barnave, me një vlerë prej 11 milion euro më shumë. Pra Qeveria edhe këtë vit do të vazhdojë të ndajë edhe më shumë para për Check Up me një fond prej 876 milion lekë ose 8.2 milion euro, duke e çuar faturën për 4 PPP të Shëndetësisë në plot 50 milion euro për vitin e ardhshëm.

Ky nuk është buxhet për qytetarët, por për interes të një grushti njerëzish të cilët prej vitesh tashmë përfitojnë nga taksapaguesit shqiptarë”. /ZOOM.AL/