Aplikacion
FIFA mund të përballet me padi pas vendimit të tyre të diskutueshëm për të pezulluar dënimin e Cristiano Ronaldos dhe për ta lejuar atë të luajë në dy ndeshjet e para të Portugalisë në Kupën e Botës.
Qeveria botërore e futbollit po përballet me kritika të ashpra, pasi pezulloi penalitetin ndaj kapitenit të Portugalisë.
40-vjeçari mori karton të kuq, pasi goditi me bërryl Dara O’Shea-n e Irlandës, në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës në fillim të muajit nëntor.
Ronaldo, i cili ishte mysafir i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më 19 nëntor, nuk luajti në sfidën e fundit të luzitanëve të vlefshme për kualifikueset ndaj Armenisë, të fituar 9-1.
Tani është i lirë të luajë për vendin e tij në eventin e rëndësishëm.
Megjithatë, Daily Mail Sport raporton se kombëtaret që mund të shortohen kundër Portugalisë, mund ta çojnë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, që të mbahet në fuqi penaliteti fillestar.
Edhe kombëtaret e tjera, lojtarët e të cilave do të humbasin ndeshjet për shkak të pezullimeve që nuk janë reduktuar në mënyrë të ngjashme, mund të jenë duke monitoruar situatën.
Çdo palë e dëmtuar do të duhej të tregonte se është prekur drejtpërdrejt nga vendimi dhe se ekziston një interes ligjor i denjë për t’u mbrojtur, sqaron tabloidi britanik.
Ata do të duhet të vërtetojnë se shanset e tyre për t’u kualifikuar nga grupi do të ishin më të vogla nëse Ronaldo, i cili shënoi pesë gola gjatë kualifikueseve për në SHBA, do të lejohej të luante kundër tyre.