Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka folur për rritjen e çmimeve të karburanteve, duke theksuar se situata nuk është e izoluar në Shqipëri, por pjesë e një krize globale që po prek shumë vende.
Gjatë një takimi me strukturat e Partisë Socialiste në Njësinë 7 në Tiranë, Rama u shpreh se çmimi i naftës është rritur kudo dhe në disa shtete është edhe më i lartë se në vendin tonë. Ai theksoi se ndikimi vjen nga faktorë ndërkombëtarë dhe jo nga politika të brendshme.
Ai sqaroi se një pjesë e çmimit lidhet me taksën e qarkullimit, duke argumentuar se heqja e saj do të sillte pasoja të tjera për qytetarët, si rritje të kostove në forma të ndryshme. Sipas tij, qasja aktuale synon që barrën më të madhe ta mbajnë ata që konsumojnë më shumë karburant.
Në të njëjtën kohë, Rama bëri të ditur se qeveria planifikon një ndërhyrje më të thellë në tregun e naftës.
“Tani besoj që njerëzit e kanë kuptuar që po përballemi me një krizë që ndodh në të gjithë dynjanë. Çmimi i naftës është rritur kudo, në vende të tjera ka shkuar edhe shumë më lartë se këtu. Çfarë po bëjmë, çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë mund të bëjmë?
Zakonisht, është më i lartë se disa vende rreth e rrotull, sepse ne kemi edhe taksën e qarkullimit. Nëse e heqim taksën, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një mjet do të duhet të paguajnë katërfishin e asaj që paguajnë sot. Në vend se t’ju ngarkojmë me katërfishin, ne kemi menduar që më mirë, kush shpenzon më shumë naftë, paguan më shumë; kjo është logjika. Në një farë mënyre, ata që djegin më shumë karburant janë edhe ndotës.
Për këtë arsye, ne kemi marrë përsipër të bëjmë një transformim të thellë për të gjithë mënyrën se si zhvillohet aktiviteti në tregun e naftës, duke krijuar një kompani publike, që do merret me rezervën strategjike të naftës. Dhe nga ana tjetër, duam që kjo kompani të jetë edhe furnizuese e naftës, dhe duke qenë furnizuese, të ndikojë në çmimin e naftës duke mbrojtur interesat e konsumatorëve”, u shpreh Rama./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari