zoom

Bota

Clinton mohon lidhjet me Epstein: Është teatër politik

Clinton mohon lidhjet me Epstein: Është teatër politik

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka dëshmuar para Kongresit të SHBA lidhur me çështjen e Jeffrey Epstein, duke e cilësuar procesin ndaj saj si një “teatër politik partiak”.

Në deklaratën hapëse, Clinton tha se komisioni ka zgjedhur ta thërrasë për dëshmi pavarësisht se, sipas saj, ajo nuk e ka takuar kurrë Epstein dhe nuk ka pasur dijeni për veprimtarinë e tij kriminale. Ajo argumentoi se hetimi po përdoret për të shpërqendruar vëmendjen nga çështje të tjera politike.

Clinton akuzoi komitetin se nuk po tregon të njëjtin angazhim për të hetuar persona të tjerë që, sipas saj, përmenden në dosjet e çështjes. Ajo la të kuptohet se procesi synon të mbrojë interesa partiake dhe figura të caktuara politike, duke përmendur edhe presidentin Donald Trump.

“Ky është një dështim institucional i ndërtuar për të mbrojtur një parti politike dhe një zyrtar publik, në vend që të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë për viktimat dhe të mbijetuarit”, u shpreh ajo.

Në fund të deklaratës, Clinton theksoi se ndjen keqardhje për të mbijetuarit e çështjes, duke shtuar se hetimi duhet të përqendrohet tek zbardhja e plotë e së vërtetës.

Pas muajsh refuzimi për t’u paraqitur para Komitetit, duke pretenduar se procesi ishte i motivuar politikisht, çifti Clinton ndryshoi mendje vetëm kur u bë e qartë se ata mund të akuzoheshin për shpërfillje të kongresit./ Zoom.al

Postime të lidhura