zoom

Bota

Çfarë i tha Putini të dërguarit të Trump-it?

Çfarë i tha Putini të dërguarit të Trump-it?

Në Kremlin u mbajt sot më 6 gusht një takim mes të dërguarit amerikan, Steve Witkoff dhe presidentit rus, Vladimir Putin që zgjati për rreth tre orë.

Putin dhe Witkoff kanë diskutuar për krizën në Ukrainë dhe për perspektivat e një zhvillimi të mundshëm të bashkëpunimit strategjik mes SHBA-së dhe Rusisë.

Këtë e tha për gazetarët asistenti presidencial rus, Yuri Ushakov, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në takim.

“Nëse do të duhej të rendisnim temat, e para padyshim është kriza në Ukrainë. Tema e dytë ishte mbi perspektivat për një zhvillim të mundshëm të bashkëpunimit strategjik mes SHBA-së dhe Rusisë,” deklaroi ai. Ushakov e përshkroi bisedën që u zhvillua si “shumë të dobishme dhe konstruktive”.

Siç shkruan agjencia ruse e lajmeve TASS, Ushakov u shpreh se Witkoff kishte marrë disa sinjale në lidhje me çështjen ukrainase, dhe se ishin marrë gjithashtu sinjale reciproke nga ana e Presidentit Trump.

“Sinjalet përkatëse u morën nga Presidenti Trump. Tani situata është e tillë që presidenti ynë ka informacion të plotë – domethënë, sinjalet tona, sinjalet nga Presidenti Trump dhe rezultatet e këtyre bisedave nuk i janë raportuar ende Trumpit. Prandaj, do të përmbahesha nga komentet më të hollësishme”, tha Ushakov. “Le të shohim kur Witkoff-i do të jetë në gjendje t’i raportojë Trump-it rreth bisedës që u zhvillua sot. Pas kësaj, natyrisht, do të jemi në gjendje t’i shtojmë komenteve të mia diçka më substanciale”.

Në takim ishte gjithashtu i pranishëm dhe Kirill Dmitriev, kreu i Fondit të Investimeve të Drejtpërdrejta të Rusisë dhe i Dërguari i Posaçëm Presidencial për Bashkëpunim Ekonomik me vendet e huaja.

Witkoff mbërriti në Moskë rreth orës 07:00 sipas kohës lokale, ku u prit në aeroportin Vnukovo nga Dmitriev. Rreth një orë më pas, të dy bënë një shëtitje në Parkun Zaryadye në qendër të Moskës.

Kjo është vizita e pestë e Witkoff-it në Rusi që nga fillimi i vitit. Vizita e tij më e fundit në Moskë ndodhi më 25 prill, pas një vizite të mëparshme në Shën Petersburg më 11 prill. Në të dy rastet, ai zhvilloi takime me presidentin Putin.

Ky takim vjen ndërsa po afron afati i përcaktuar nga presidenti amerikan Donald Trump për Rusinë që të pranojë një armëpushim në Ukrainë.

Presidenti amerikan kishte paralajmëruar se Rusia mund të përballet me sanksione të rënda, ose me sanksione dytësore ndaj të gjithë atyre që tregtojnë me të, nëse nuk ndërmerr hapa për të ndalur “luftën e tmerrshme” në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Rusia do të bëjë hapa seriozë drejt paqes vetëm kur të ketë mungesë të fondeve. Ai përshëndeti kërcënimin për sanksione më të rënda amerikane dhe tarifa ndaj vendeve që blejnë naftë ruse.

Pritshmëritë për një marrëveshje deri të premten janë të ulëta, ndërkohë që Rusia vazhdon sulmet e mëdha ajrore ndaj Ukrainës pavarësisht kërcënimeve të Trump për sanksione.

Postime të lidhura