Aplikacion
Diplomacia shqiptare duket se ka gjetur formulën e saj të re: buzëqeshje përpara kamerave, ndërsa “tonet e forta” rezervohen për postimet në rrjetet sociale.
Kështu ndodhi edhe në Ministerialin e Uashingtonit, ku ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u fotografua duke biseduar me homologun e tij serb, Marko Gjuriç. Në pamje, të dy duken të qeshur dhe në një atmosferë miqësore, sikur po shkëmbenin batuta, e jo qëndrime të forta diplomatike.
Por pak minuta më vonë, në platformën X, Hoxha sqaroi se pas buzëqeshjeve kishte përcjellë mesazhe të forta ndaj Beogradit. Ai tha se i kishte ritheksuar homologut serb qëndrimin e Shqipërisë për deklaratat e papranueshme të ministres serbe Milica Gjurgjeviç Stamenkovski.
“Ripërsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane”, shkroi ministri .