zoom

Aktualitet

Bushati: S’ka zgjedhje normale, Rama kontrollon çdo hallkë të shtetit

Bushati: S’ka zgjedhje normale, Rama kontrollon çdo hallkë të shtetit

Andi Bushati ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj mënyrës se si zhvillohet procesi zgjedhor në Shqipëri, duke deklaruar se problemi nuk është çështje manipulimesh të minutës së fundit, por një deformim sistematik që zgjat prej vitesh.

Në një intervistë për “Syri TV”, Bushati u shpreh se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin një garë demokratike, por një votim nën kontrollin total të partisë në pushtet.

“Zgjedhjet nuk janë vjedhur as ditën e fundit, as katër ditët e fundit, as katër muajt e fundit. Ky është një proces katërvjeçar. Fakti që sot nuk kemi zgjedhje, por kemi votime, është rezultat i këtij procesi të gjatë deformimi”, tha ai.

Bushati përmendi një sërë faktorësh që sipas tij e kanë deformuar thellësisht garën zgjedhore, përfshirë përdorimin e administratës shtetërore, ndikimin e drejtësisë, kontrollin mbi mediat dhe presionin ndaj biznesit.

“PD nuk ka garuar me një rival politik, por me një parti-shtet që kontrollon çdo hallkë të sistemit. Kjo nuk është një fushatë demokratike, por një farsë në të cilën rezultatet dihen që përpara se të votohet”, theksoi ai.

Në vijim, analisti ndaloi edhe te ankesat për 130 mijë fletë votimi që, sipas opozitës, mungojnë:

“Edhe sikur t’i gjejmë apo t’i heqim këto fletë, problemi është shumë më i madh. Pse LSI nga 200 mijë vota përfundon në zero? Pse një opozitar si Berisha izolohet për një vit të tërë? Pse çështja e vulës u zvarrit në pafundësi? Këto nuk janë çështje teknike, por politike. Dhe pas tyre qëndron kapja e sistemit.”

Ai nuk kurseu as partitë e reja që morën pjesë në zgjedhje:

“Adriatik Lapaj që fliste për 13 deputetë, doli me 1. Agron Shehaj me gjithë fushatën, mori një tjetër mandat. Pyetja është: këto zgjedhje i quajnë normale? Apo janë thjesht pjesë e fasadës që i jep legjitimitet kësaj maskarade?”

Në përmbyllje, Bushati dha një mesazh të qartë për qytetarët:

“Ne nuk mund të flasim më për zgjedhje në Shqipëri. Po, votohet. Por zgjedhje të vërteta nuk ka. Dhe kjo nuk është më thjesht një çështje e opozitës, por e të gjithëve – e çdo partie, çdo kandidati dhe çdo qytetari që ka ende respekt për votën e vet.”

Postime të lidhura