zoom

Lajme

“Burgose Fatos Nanon”/ Përplasje e ashpër mes Berishës dhe Petro Koçit

“Burgose Fatos Nanon”/ Përplasje e ashpër mes Berishës dhe Petro Koçit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe deputeti socialist Petro Koçi u përfshinë në një debat të ashpër gjatë seancës së sotme plenare.

Përplasja nisi pas ironisë së Berishës për mungesën e dy deputeteve të reja të PS-së, Zeqine Çaushi dhe Sara Mile, si dhe përjashtimin e Koçit nga lista e deputetëve për legjislaturën e ardhshme.

Në fjalën e tij, Berisha aludoi se largimi i Petro Koçit nga Parlamenti ishte i diktuar nga grupe kriminale.

“Petro, kush të nxori ty nga parlamenti? Kartelet të nxorën. Po të ishe i tyre, do ishe ende aty. Je një automat, thua vetëm atë që të kanë programuar”, tha Berisha.

Ai akuzoi gjithashtu mazhorancën për transformimin e vendit në një “narkoshtet” dhe e cilësoi kryeministrin Edi Rama si “Ramaduro i Europës”, duke përmendur edhe raportime ndërkombëtare që sipas tij kanë damkosur qeverinë si të lidhur me krimin.

“Ju nuk festuat dot fitoren kallp, sepse këtë verë në Bruksel dhe Strasburg u damkosët si një grup i shkrirë me kartelet e drogës”, shtoi Berisha.

Reagimi i Petro Koçit ishte i menjëhershëm dhe i ashpër, duke e akuzuar Berishën për mungesë morali për të folur mbi zgjedhje të lira.

“Sali, ti je i fundit në Republikë që mund të flasësh për zgjedhje të lira. Je kampioni i vjedhjes dhe grushtit të shtetit të ’96. E mban mend ç’i bëre kreut të PS në Librazhd? E masakrove. Burgose Fatos Nanon për arsye politike. Je në të njëjtën frekuencë valë me Maduron, turp të kesh”, deklaroi Petro Koçi./ Zoom.al

Postime të lidhura