Aplikacion
Dy punonjës të Institucionit të Paraburgimit “Jordan Misja” (313) në Tiranë kanë humbur jetën brenda pak orësh nga njëri-tjetri gjatë ushtrimit të detyrës. Pas lajmit për ngjarjen e rëndë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar me një njoftim zyrtar, duke sqaruar rrethanat.
Sipas njoftimit, viktima e parë është Zog Muhametaj, Specialist i Informacionit me gradën Komisar. Rreth orës 21:36 të mbrëmjes së 29 qershorit, teksa po zhvillonte instruktazhin e stafit për ndërrimin e shërbimit në ambientet e IEVP “Jordan Misja”, dyshohet se ai ka pësuar një gjendje të rëndë shëndetësore.
Kolegët dhe personeli mjekësor i institucionit i dhanë menjëherë ndihmën e parë dhe e transportuan me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 62-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.
Vetëm pak orë më vonë, rreth orës 00:00 të datës 30 qershor, edhe Pëllumb Vrana, Teknik i Kamerave me gradën Kryeinspektor, pësoi gjithashtu një gjendje të rëndë shëndetësore gjatë ushtrimit të detyrës në paraburgimin 313. Pas ndihmës së parë nga kolegët dhe infermierja e institucionit, ai u dërgua me urgjencë në QSUT, ku ndërroi jetë rreth orës 01:00.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se Zog Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015, ndërsa nga viti 2023 shërbente në IEVP “Jordan Misja”.