zoom

Aktualitet

Burg për Gazmir Preçin/ Kryekomisari: S’e dija që zarfi kishte para, kam 3 fëmijë

Kryekomisari Gazmir Preçi i arrestuar nga AMP me urdhër të SPAK me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit është lënë në burg nga GJKKO sot paradite.

Preçi u kap teksa po merrte një shumë prej 10 mijë eurosh nga pronari i një lokali në Durrës ku edhe Kryekomisari ishte me detyrë.

Para se të jepej masa e sigurisë “Arrest me burg” Preçi ka kërkuar lehtësi nga gjykata pasi sipas tij ishte baba i tre fëmijëve dhe se nuk e dinte që në zarf kishte para.

“Kam shkuar vetëm se më ka kërkuar pronari i biznesit. Nuk e dija se kishte lek brenda zarfit dhe në momentin e arrestimit kam kërkuar që pakoja të hapet në praninë e avokatit, gjë e cila nuk më është mundësuar”, tha Preçi.

Ai ka komentuar edhe momentin e arrestimit, duke deklaruar se pronari i lokalit e ka marrë disa herë në telefon, duke i kërkuar takim.

Gazmiri pretendon se ka kërkuar ta takojë në zyrën e tij të punës, por pronari nuk ka pranuar.

Në fund të takimit, sipas tij, biznesmeni i tregoi për një zarf të bërë dhuratë. Por pasi ai nuk e ka pranuar, biznesmeni sipas Gazmirit, ia ka futur në xhep.

Arrestimi

Gazmir Preçi me detyrë shef Antidroge, akuzohet se kishte kërcënuar një biznesmen se do t’i mbyllte biznesin (klub nate) tek Ura e Dajlanit pasi sipas tij këtu punonin disa persona të pasiguruar. I gjendur nën presion nga zyrtari i policisë i cili i kishte vendosur gjobë të majme prej 20 mijë eurosh, qytetari vendosi që të denonconte rastin. AMP menjëherë sapo regjistroi denoncimin i’u drejtua Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pasi prokurori i Strukturës së Posaçme dha autorizimin, Agjencia e Mbikqyrjes Policore organizoi takimin grackë të qytetarit me shefin e antidrogës Gazmir Preçi. Takimi u organizua në një lokal në zonën e Kinostudios në Tiranë ku qytetari i dorëzoi 10 mijë euro Preçit duke i thënë që për momentin ka vetëm gjysmat e parave. Menjëherë sapo efektivi mori paratë, kanë ndërhyrë efektivët e AMP-së ku kanë bërë të mundur arrestimin e tij në kushtet e flagrancës.