zoom

Sport

Broja në merkato, Çelsi i vë çmimin marramendës

Interesimi për sulmuesin shqiptar Armando Broja është rritur ndjeshëm. 22-vjeçari luan me Chelsea në Premier League, por ka kërkesa edhe nga skuadra të tjera. West Ham, Fulham dhe Wolves janë vënë në gjurmët e shqiptarit, por për këto skuadra nuk ka për të qenë e lehtë.

Chelsea ka bërë me dije se për të lënë të lirë Brojën kërkon 50 milionë stërlina. Lajmin e konfirmoi “Daily Telegraph”, që tha se Chelsea u ka bërë me dije klubeve të interesuara se nuk do ta lërë kollaj sulmuesin shqiptar, që ka një kontratë deri në vitin 2028 me londinezët.

Armando Broja u rikthye pak kohë më parë nga një dëmtim i gjatë dhe këtë sezon ka luajtur në total në 17 ndeshje e realizuar 2 gola. Shqiptari nuk ka luajtur shumë ndeshje si titullar dhe shpesh është zëvendësuar, por disa herë ka bërë paraqitje të mira.

Për Broja-n janë të interesuar edhe në Itali e Portugali, por të gjitha skuadrat që dëshirojnë shërbimet e shqiptarit duhet të paguajnë 50 milionë stërlina te Chelsea. /ZOOM.AL/