Aplikacion
Liverpool thyen pastër 2-0 Burnley duke marrë provizorisht kreun e Premier League. Të kuqtë e Jurgen Klopp kalojnë presionin te Arsenal, me “topçinjtë” që ndodhen në vendin e dytë, dy pikë larg. Në “Anfeild”, Liverpool kaloi në avantazh që në minutën e 6-të, me Darwin Nunez.
Sulmuesi uruguaian me një goditje kirurgjikale gjeti cepin e portës duke sjell festë te tifozët e kuq.
Me fillimin e pjesës së dytë, Elliott dyfishoi shifrat, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje të Salah. Sulmuesi egjiptian goditi më pas traversën, ndërsa goli i qetësisë erdhi vetëm në minutën e 90-të. Diogo Jota me një goditje nga një kënd thuajse i pamundur, i bëri tunel portierit duke dyfishuar shifrat.

Kurse Manchester United ka triumfuar 3-2 ndaj Aston Villës me përmbysje, në ndeshjen e Premier League. Mysafirët nga Birminghami treguan forcën që në 25 minutat e para. Dy gola të ekipit të Emery heshtën tifozët vendas në tribuna, të cilët kishin ardhur për të parë skuadrën e zemrës.
Skocezi John McGinn shfrytëzoi në maksimum një krosim, për të ndëshkuar Onana-n në minutën e 21-të. 5 minuta më pas, gjatë zhvillimit të një goditje këndi, “Djajtë e kuq” e pësojnë sërish, këtë herë nga Dendocker, që nga fare pranë portës nuk fal.
5 minutat shtesë të pjesës së parë nuk prodhuan gol tjetër, me Manchester United që kishte tashmë vërtetë një malore përpara për pjesën e dytë. Në disavantazh të dyfishtë, Rashford me shokë u futën me shumë dëshirë në pjesën e dytë dhe ngushtuan shifrat me Garnachon. Gjithsesi, festa zgjati pak, pasi gola u anulua për Offside. Në të 59-tën, Garnacho dërgoi shifrat në 1-2, këtë herë goli ishte i rregullt.
Po sulmuesi argjentinas do bënte gjithçka mirë edhe në të 71-tën, duke dërguar shifrat në 2-2. Përmbysja e madhe do vinte nga Hojlund, 8 minuta nga fundi. Manchester United renditet në vendin e gjashtë me 31 pikë, ndërsa Aston Villa në vendin e 3-të. /ZOOM.AL/