zoom

In Zoom

BKT, nga Bankë Tregtare në kompani për shitje apartamentesh

Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ka vendosur të dalë jashtë aktivitetit bankar, duke ndërmarrë një akt të paprecedent në sistemin bankar në Shqipëri.

BKT, siç ka raportuar më parë Zoom.al do të jetë aksionere në dy kulla të reja që do të ndërtohen në Tiranë në vendin ku deri tani kanë qenë zyrat e saj qëndrore.

Njëra do të ngrihet në rrugën Ibrahim Rugova, përballë Kishës Ortodokse dhe në krah të Shtëpisë me Gjethe, ndërsa tjetra në bulevardin Zhan D’Ark, mes Kishës Katolike dhe selisë së Partisë Demokratike, buzë Lanës. (SHIKO HARTEN ME POSHTE NE ZOOM.AL)

Skema e ndërtimit është e njëjtë me atë që përdoret rëndom në sektorin e ndërtimit: BKT do të japë tokën dhe do të marrë përqindje nga sipërfaqja e ndërtuar.

Por trualli që BKT vendos në dispozicion i është marrë shtetit shqiptar për të ushtuar aktivitetin bankar, jo për ndërtim. Dega e BKT në bulevardin Zhan D’Ark buzë Lanës ka shërbyer dikur si zyrë e Bankës së Kursimeve, e cila nga pronë shtetërore u privatizua nga BKT.

Ndërtesa tjetër në rrugën Ibrahim Rugova iu mor shtetit për llogari të Telecom.

Por në këtë mënyrë BKT po tjetërson destinacionin e pronës dhe aktivitetin për llogari të të cilit iu lejua privatizimi i tokës shtetërore.

Nëse do të kishte kërkuar që në nisje të privatizimit që t’i merrte këto prona për të ndërtuar kulla me përqindje, duke aplikuar si kompani ndërtimi apo zyrë për shitje apartamentesh, privatizimi do të kishte qenë i pamundur, pasi ligji e pengon shitjen e pronave shtetërore për ndërtime pallatesh për llogari të kompanive private.

Zoom.al u është drejtuar organeve ligjzbatuese për të kuptuar a është i ligjshëm veprimi i BKT, që i bleu tokat dhe ndërtesat shtetërore si bankë dhe për të ushtruar aktivitet në sektorin bankar dhe atë të telekomunikacionit dhe tani po i përdor për ndërtim?

Po kështu, Zoom.al u ka kërkuar autoriteteve nëse i duhej dhënë leja e ndërtimit BKT -së në një kohë kur ajo ka ndryshuar natyrën e aktivitetit.

“Është njësoj sikur ta privatizosh një pronë shtetërore për të ndërtuar një shkollë dhe të hapësh një pus nafte”, i tha një ekspert ligjor Zoom.al.

Përveç se do të japë për kulla tokën që privatizoi nga shteti për zyra bankare dhe telefonie, BKT, sicc kanë treguar disa burime për Zoom.al mund të jetë edhe në rolin e financuesit në këto projekte.

Për të hedhur dritë mbi mënyrën e financimit, Zoom.al iu drejtua kohë më parë me disa pyetje Bankës Kombëtare Tregare, por nuk mori përgjigje. /Zoom.al