zoom

Aktualitet

BKT dhe Bami ngulin kullë 54 kate tek Shtëpia e Gjetheve

E kuqe si ngjyra e Bankës Kombëtare Tregtare. E lartë deri në qiell, ndryshe nga ndërtuesi i saj. Ky është identikiti i kullës më të re që do të ngulet në mes të Tiranës, thuajse ngjitur me Sheshin Skënderbej. Kulla do të ketë 54 kate dhe ndërtuesi i saj është Besnik Bami.

Vetë zoti Bami ka lindur në Cudhi të Krujës. Por përbindëshin e betonit që do të ngjeshë në zemër të kryeqytetit shqiptar ka vendosur ta quajë Barcelona Tower. Tani kulla u bë realitet.

Një ditë më parë Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejet e zhvillimit ose ndërtimit për 12 kulla të reja në Tiranë. Mes tyre ishte edhe leja e zhvillimit për godinën multifunksionale Barcelona Toëer me vendodhje në rrugën Ibrahim Rugova.

Vendi i saktë ku do të ngrihet kulla është ngjitur me Shtëpinë e Gjetheve. Sot aty gjenden zyrat e BKT-së, ndërsa përballë, në krahun tjetër të rrugës, ndodhet selia e Partisë së Kullave. Por Bami nuk është i vetëm në këtë sipërmarrje. Brenda kullës së re është edhe BKT si pronare e tokës, ndonëse jo drejtëpërdrejtë por përmes një kompanie satelit të saj.

Sateliti Arkestate

Arkestate Investments është një kompani shqiptare e krijuar në vitin 2016. Pronari themelues i saj ishte një shoqëri amerikane nga Teksasi, e quajtur International Ark Holdings. Që atëherë, kompania ka ndërruar tre herë pronësi.

Në vitin 2019 kompania teksane ja shiti Arkestate Investments një shoqërie të quajtur Gold Circle LLC me bazë në Nevada. Kjo e fundit e mbajti një vit dhe në fund të 2020-ës e shiti Arkestate tek një shoqëri hollandeze, e quajtur Delta Real Estate Development. Pronari fundor i Delta Real Estate Development është Ahmet Çalik, biznesmeni turk që zotëron BKT-në. Të gjitha transaksionet janë ndërmjetësuar nga studio Tashko dhe Pustina.

Me pak fjalë, Arkestate është krahu imobiliar i Ahmet Çalikut. Ajo zotëron të gjitha pronat e Bankës Kombëtare dhe ato që kishte dikur Albtelekom. Tani në këto prona BKT ka filluar të ngulë kulla. Dhe kjo e rrugës Ibrahim Rugova nuk është e vetmja.

Shumë shpejt do të vijnë edhe dy të tjera me nga 40 kate. Ato do të jenë tek ish selia qendrore e BKT-së, ngjitur me Kishën Katolike. Por le të kthehemi tek Barcelona. Jo ajo e Mesit, por kjo e BKT-së dhe Bamit.

Urbanicid dhe ekonomicid

Gjerdani i kullave që po rrethon sheshin Skendërbej vetëm sa shtohet. Ashtu sikurse shtohen dhe katet e tyre. Dy lejet e fundit të miratuara në qendër janë për kulla mbi 50 kate. Fillimisht Mount of Tirana, tani Barcelona.

Dhe ndërsa kullat mbijnë si çibanë njëra pas tjetrës në zemrën e kryeqytetit, paraja vërshon lumë nga të katra anët. Shumë thonë se e gjitha është një operacion i madh pastrimi. Tani madje as nuk po e fshehin më. Në listën subjekteve zhvilluese që morën lejet një ditë më parë, ka dhe njerëz me rekorde kriminale në fushën e trafikut.

Por përtej ligjshmërisë së parave që financojnë kullat dhe asfiksojnë qendrën e Tiranës, Shqipërisë po i shfaqet një problem tjetër edhe më i madh. Ndërtimi po mbyt ekonominë.

Kullat prodhojnë fitime dhe fitimet prodhojnë edhe më shumë kulla. Teksa paraja shkon e gjitha në ndërtim, sektorët e tjerë rrudhen. Ekonomia nuk krijon kapacitete të reja prodhuese, por vetëm struktura betoni parazitare, të cilat vrasin ambientin dhe keqshpërndajnë burimet. Një rreth vicioz, që bën urbanicid, por potencialisht edhe ekonomicid.

Hovi i pandalshëm i ndërtimit ka filluar të ngjajë me një dështim të madh tregu, afër asaj që quhet Tragjedia e të Përbashktës. Në këtë rast ndërtuesit turren të betonizojnë qendrat historike për të nxjerrë fitime të lehta, ndërsa gjithë të tjerëve u lënë kostot urbanistike dhe ekonomisë i thajnë burimet financiare.

Barcelona është vetëm simboli i radhës i tragjedisë, e cila tani po vjen dhe me një risk shtesë. Me ndërtimin në Shqipëri po mpleksen direkt edhe bankat. BKT nuk është e vetmja. (Ky shkrim ka për autor gazetarin Klodian Tomorri)

PARALAJMËRIMI I ZOOM.AL PËR KULLAT E BKT

Që në krye të herës, Zoom.al ishte e para media e cila denoncoi se Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ka vendosur të dalë jashtë aktivitetit bankar, duke ndërmarrë një akt të paprecedentë në sistemin bankar në Shqipëri.

“BKT, siç ka raportuar më parë Zoom.al do të jetë aksionere në dy kulla të reja që do të ndërtohen në Tiranë në vendin ku deri tani kanë qenë zyrat e saj qëndrore. Njëra do të ngrihet në rrugën Ibrahim Rugova, përballë Kishës Ortodokse dhe në krah të Shtëpisë me Gjethe, ndërsa tjetra në bulevardin Zhan D’Ark, mes Kishës Katolike dhe selisë së Partisë Demokratike, buzë Lanës,”- bëhej me dije në njërën prej shkrimeve tona investigative.

(SHIKO HARTEN ME POSHTE NE ZOOM.AL)

Skema e ndërtimit është e njëjtë me atë që përdoret rëndom në sektorin e ndërtimit: BKT do të japë tokën dhe do të marrë përqindje nga sipërfaqja e ndërtuar.

Por trualli që BKT vendos në dispozicion i është marrë shtetit shqiptar për të ushtuar aktivitetin bankar, jo për ndërtim. Dega e BKT në bulevardin Zhan D’Ark buzë Lanës ka shërbyer dikur si zyrë e Bankës së Kursimeve, e cila nga pronë shtetërore u privatizua nga BKT.

Ndërtesa tjetër në rrugën Ibrahim Rugova iu mor shtetit për llogari të Telecom.

Por në këtë mënyrë BKT po tjetërson destinacionin e pronës dhe aktivitetin për llogari të të cilit iu lejua privatizimi i tokës shtetërore.

Nëse do të kishte kërkuar që në nisje të privatizimit që t’i merrte këto prona për të ndërtuar kulla me përqindje, duke aplikuar si kompani ndërtimi apo zyrë për shitje apartamentesh, privatizimi do të kishte qenë i pamundur, pasi ligji e pengon shitjen e pronave shtetërore për ndërtime pallatesh për llogari të kompanive private.

Zoom.al u është drejtuar organeve ligjzbatuese për të kuptuar a është i ligjshëm veprimi i BKT, që i bleu tokat dhe ndërtesat shtetërore si bankë dhe për të ushtruar aktivitet në sektorin bankar dhe atë të telekomunikacionit dhe tani po i përdor për ndërtim?

Po kështu, Zoom.al u ka kërkuar autoriteteve nëse i duhej dhënë leja e ndërtimit BKT -së në një kohë kur ajo ka ndryshuar natyrën e aktivitetit.

“Është njësoj sikur ta privatizosh një pronë shtetërore për të ndërtuar një shkollë dhe të hapësh një pus nafte,”- i tha një ekspert ligjor Zoom.al.

Përveç se do të japë për kulla tokën që privatizoi nga shteti për zyra bankare dhe telefonie, BKT, siç kanë treguar disa burime për Zoom.al mund të jetë edhe në rolin e financuesit në këto projekte.

Për të hedhur dritë mbi mënyrën e financimit, Zoom.al iu drejtua kohë më parë me disa pyetje Bankës Kombëtare Tregare, por nuk mori përgjigje. /Zoom.al