zoom

Ekonomi

Ulje të korrupsionit dhe barrës administrative në biznese, pas marrjes së shërbimeve publike online

Ulje të korrupsionit dhe barrës administrative në biznese, pas marrjes së shërbimeve publike online

Bizneset në përgjithësi kanë raportuar ulje të korrupsionit dhe barrës administrative, si rrjedhojë e marrjes së shërbimeve publike në mënyrë elektronike, ku më skeptiket mbeten sipërmarrjet e vogla. Të dhënat kanë dalë nga një anketë e Këshillit të Investimeve, e publikuar sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Investimeve, për cilësinë e shërbimeve publike digjitale sipas këndvështrimit të biznesit, e kryer në korrik të këtij viti.

56% e të anketuarve thanë se marrja e shërbimeve publike administrative në mënyrë elektronike e ka reduktuar barrën administrative për kompaninë e tyre, 36% thanë deri diku dhe 10% u përgjigjën që nuk e ka reduktuar. 79% e subjekteve që mendojnë se barra administrative nuk është reduktuar janë biznese me xhiro vjetore deri në 14 mln lekë të cilat ofrojnë shërbime.

44% e të anketuarve janë përgjigjur se marrja e shërbimeve publike administrative në mënyrë elektronike ka reduktuar praktikat korruptive në kompaninë e tyre, 34% thanë deri diku dhe 17% u përgjigjën që nuk i ka reduktuar. Sërish bizneset e vogla janë më skeptiket. 72% e subjekteve që mendojnë se praktikat korruptive nuk janë reduktuar janë biznese me xhiro vjetore deri në 14 mln lekë dhe që ofrojnë shërbime.

37% e të anketuarve thanë se ishin të kënaqur me eksperiencën në platformën e-Albania dhe 41% ishin deri diku të kënaqur.

Bizneset janë më optimiste për pagesën e taksave online, me 45% që ishin plotësisht të kënaqur dhe 36% deri diku të kënaqur.

Edhe për fiskalizimin, 44% e të anketuarve ishin plotësisht të kënaqur dhe 34% deri diku të kënaqur.

Për platformën e-Albania, elementet më pak të vlerësuar në portal janë:

  1. Siguria e të dhënave
  2. Procedura e ankimimit
  3. Vonesa në marrjen e shërbimit
  4. Asistenca në marrjen e shërbimit – vonesa në kthim përgjigje, vështirësi në ndërveprimin me institucionet.

45% e bizneseve thanë se ishin të  gatshëm jeni për të përdorur pagesën online për shërbimet publike për të cilat mund të ofrohet si opsion në platformat online, 34% deri diku të gatshëm dhe 20% aspak të gatshëm.

Këshilli i Investimeve në konkluzionet e anketimit konstaton se Biznesi në përgjithësi është i kënaqur me ofrimin e shërbimeve publike elektronike të cilat kanë ndikuar në uljen e barrës administrative dhe praktikat korruptive për shkak të shmangies së kontaktit fizik me administratën publike.

Vërehet një mungesë e digjitalizimit në nivel vendor, shërbimet elektronike të të cilit konsiderohen në nivel bazë nga ana e sipërmarrjes.

Vlerësohet e-Albania si portal lehtësisht i aksesueshëm por, si elementë më problematikë gjatë përdorimit të platformës e-Albania vlerësohen: (1) Siguria (2) Ankimimi (3) Marrja në kohë e shërbimit (4) Asistenca. 4. Agjencia Shtetërore e Kadastrës cilësohet si institucioni më problematik në lidhje me përfitimin e shërbimeve online (brenda platformës e-Albania) dhe mbështetjes së ofruar në marrjen e shërbimeve.

Biznesi është i gatshëm të përdorë pagesat online për përftimin e shërbimeve elektronike, por problematike mbetet çështja e sigurisë së të dhënave. Pavarësisht se mbështet ofrimi i shërbimeve online, biznesi kërkon ri- hapje edhe të pikave fizike për përftimin e shërbimeve për arsye të pamundësisë së përdorimit të platformave online apo edhe mungesës së mbështetjes institucionale./ Monitor