Aplikacion
Drafti i ri për taksën e pasurive të paluajtshme pritet të rrisë deri në 25% detyrimin e taksës së ndërtesës edhe për objektet që përdoren për qëllime tregtarë.
Në draftin e ri “Për taksën e Pasurive të Paluajtshme”, Ministria e Financave propozon rritje të shkallës së taksës ndërtesës për objektet që përdoren për qëllim tregtar, por edhe propozon ndryshim të metodologjisë për llogaritjen e detyrimit.
Aktualisht për ndërtesat që përdoren për qëllim tregtar shkalla e taksës është 0,2% e vlerës së dyqanit. Formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, parashikon që taksa është 0,2% e vlerës së dyqanit, ndërsa vlera e dyqanit në Tiranë llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve.
Për qytetet e tjera, çmimi i vlerës së dyqaneve është 1,5 herë më shumë se çmimi për metër katror i apartamenteve. Për bizneset e rretheve niveli i taksës së ndërtesës nuk ndryshon, pasi nuk kanë ndryshuar çmimet e referencës, mbi bazën e të cilës llogaritet vlera e ndërtesës.
Konkretisht nëse një pronar dyqani me sipërfaqe 100 metër katror me vendndodhje në zonën kadastrale 1/1 që në terren përfshin zonat, si: Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit; 1/2 Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, LanaBregas, Linzë, Sauk) ku çmimi i referencës së apartamenteve të miratuara në 2023 është 102,800 lekë për metër katror paguan në vit 41,120 lekë detyrim për taksën e ndërtesës.
102,800 lekë/m2 (çmimi fiskal) x2 = 205,600 lekë (çmimi i referencës 100 m2 = 20,560,000 lekë vlera e dyqanitx0.2% (shkalla e taksës) = 41,120 lekë detyrimi vjetor.
Krahasuar me çmimet e referencës së vitit 2018 detyrimi vjetor për taksën e ndërtesës për këtë pronar u rrit 2,040 lekë në vit apo 5% më tepër.
Me projektligjin e ri propozohet rritje të shkallës së taksimit për ndërtesat me qëllim tregtar nga 0.2% që është aktualisht në intervalet 0.15% deri në 0.25%. Shkalla e taksës propozohet me rritje deri 25% nga sa është aktualisht.
Por vlera e pronës në këtë rast dyqanit nuk do të llogaritet më me dyfishin e çmimeve të referencës. Bazë për llogaritjen e taksës do të merret vlera e pronës që përdoret për aktivitet tregtar, por sipas çmimeve mesatarë për dyqanet do të jenë të reja të përcaktuara në hartën e vlerës së re të pronave. Për dyqanet çmimet mesatare do të jenë më të larta sesa e apartamenteve.
Konkretisht për një dyqan me vlerë 20,5 mln lekë e llogaritur me shkallën maksimale të taksës prej 0.25%, detyrimi vjetor arrin 51,140 lekë në vit apo 10,280 lekë më shumë apo 25% më tepër.
Po ashtu për kategoritë e tjera të ndërtesave përfshirë garazhet e mbyllura, të hapura, ambientet sportive, vlera e pronës me qëllim taksimin do të vijojë të mbetet sa 50% e vlerë. Ndërsa shkalla e taksës do të jetë sa nivelet e propozuara për ndërtesat nga 0.15 deri 0.25%. / Monitor