zoom

Politikë

BIRN: Presidenti dekreton ligjin e ri për komisionet hetimore pavarësisht apelit të opozitës

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi të enjten ligjin e ri për komisionet hetimore, pavarësisht kritikave dhe apelit të opozitës se ky ligj bllokonte të drejtën e saj kushtetuese për kontroll parlamentar.

Në argumentimet e tij, Begaj shpreh rezerva për disa dispozita të ligjit dhe quan “regres”një prej pikave, por nuk sheh shkelje kushtetuese në ndryshimet e miratuara në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.

“Është e vërtetë se dispozita për marrjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve me vendim të ndërmjetëm formon regres në raport me ligjin e mëparshëm, i cili, kryerjen e këtyre procedurave nuk ia nënshtronte votimit, por çështja në vetvete nuk ka lëndë kushtetuese,”argumenton Presidenti.

Në reagimin e shpërndarë për mediat nga Presidenca konstatohet se “ligji nuk mund të quhet antikushtetues”.

Dekreti i presidentit Begaj vjen pas përplasjeve disamujore në Parlament, për shkak se mazhoranca rrëzoi disa kërkesa të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i kërkoi kreut të shtetit që të mos e dekretonte këtë ligj, pasi cënonte të drejtën kushtetuese të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe se ishte miratuar në shkelje të procedurave parlamentare.

 

 

Sipas përfaqësuesve të opozitës, hyrja e ligjit në fuqi “minonte dialogun politik”.

Por, presidenca sqaron se ligjet shpallen pas verifikimit të kushtetuetshmërisë së dispozitave të reja dhe të procedurës së miratimit të tyre dhe se ky kontroll nuk verifikon asnjë aspekt me përmbajtje politike të ligjit.

Presidenti pranon se ka pritur negociata dhe bashkëpunim politik në periudhën 20 ditore të afatit për shpalljen e ligjit dhe se e ka ftuar “eksponentët më të zëshëm të opozitës që të kërkonin kompromisin me shumicën parlamentare” për ligjin. /ZOOM.AL/