zoom

Bota

Biden nis vizitën në Arabinë Saudite, pritet të ndikojë në uljen çmimit të naftës

Presidenti amerikan Joe Biden mbërriti të premten në Arabinë Saudite për bisedime mbi energjinë, të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në një vizitë të ka si objektiv rigjallërimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me një vend që Biden e kishte cilësuar si të padëshiruar në arenën ndërkombëtare.

Interesat energjitike dhe të sigurisë nxitën vendimin e presidentit dhe këshilltarëve të tij për të mos ta izoluar vendin që është eksportuesi kryesor i naftës dhe një fuqi e madhe rajonale, që së fundmi ka forcuar lidhjet me Rusinë dhe Kinën.

Por këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së i minimizoi pritshmëritë për ndonjë rritje të menjëhershme të furnizimit me naftë për të ndihmuar në uljen e kostove të larta të karburantit dhe për të lehtësuar inflacionin në Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden do të zhvillojë një takim dypalësh me mbretin saudit Salman bin Abdulaziz në pallatin mbretëror në Xhedah dhe më pas presidenti dhe ekipi i tij do të mbanin një takim pune me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman dhe një numër ministrash sauditë.

Biden do të diskutojë lidhur me sigurinë e energjisë me udhëheqësit e prodhuesve të naftës në Gjirin Persik dhe shpreson të shohë më shumë veprime nga OPEC-u për të rritur prodhimin, por këshilltari i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuata, Jake Sullivan u tha gazetarëve gjatë udhëtimit nga Izraeli në Xhedah se nuk kishte gjasa të kishte ndonjë njoftim dypalësh nga bisedimet.

Udhëtimi i Biden po ndiqet me vëmendje dhe do të vërë në provë aftësinë e tij për të rivendosur marrëdhëniet me princin e fuqishëm të kurorës të Arabisë Saudite.

Zbulimi amerikan kishte arritur në përfundimin se princi i kurorës kishte miratuar drejtpërdrejt vrasjen e vitit 2018 të gazetari të Ëashington Post-it, Jamal Khashoggi, ndërsa princi i kurorës mohon të ketë pasur një rol në vrasje./ Marrë nga VOA