zoom

Aktualitet

Beteja me Covid-19, rrëfimi i Najada Çomo: Humbëm disa pacientë brenda pak orësh, kolegët e mi ecnin me këmbët që tërhiqeshin “zvarrë” nga pesha e dhimbjes

Beteja me Covid-19, rrëfimi i Najada Çomo: Humbëm disa pacientë brenda pak orësh, kolegët e mi ecnin me këmbët që tërhiqeshin “zvarrë” nga pesha e dhimbjes

Najada Çomo, drejtuesja e spitalit Infektiv, ka ndarë përjetimet e saj nga pandemia e Covid-19, duke e cilësuar atë si një sfidë të jashtëzakonshme jo vetëm profesionale, por edhe njerëzore.

Në një intervistë për Euronews Albania, ajo u shpreh se gjatë gjithë periudhës së pandemisë nuk kishte frikë për veten, por për familjarët:

“Për veten nuk kisha frikë, ose më saktë nuk kisha kohë të kisha frikë. E them gjithmonë: nëse do të kisha frikë, do ta transmetoja tek të tjerët. Mendimi dominues në kokën time ishte vetëm një: Najada, vazhdo përpara, sepse ndryshe ky shërbim ndaj njerëzve nuk ecën. Ne ishim përballë të panjohurës. Nuk e dinim çfarë do të ndodhte. Unë thjesht zgjohesha, vishesha, shkoja në punë dhe kthehesha. Ishte një rutinë e gjatë, e pandërprerë. Për veten nuk pata frikë asnjëherë. Për familjarët, po, patjetër.”

Çomo tregoi edhe sakrificat personale për të mbrojtur të afërmit, duke shmangur kontaktet për një kohë të gjatë:

“Sot, kur e kujtoj, më vjen ndër mend se si bashkëshorti apo vajza, kur kolliteshin, përpiqeshin ta mbanin, që unë të mos e dëgjoja. Sepse për mua do të ishte një alarm i madh. Për të shmangur rrezikun, nuk takoja askënd. Madje mamanë e kam takuar vetëm pas më shumë se një viti, sepse kisha frikë mos isha unë shkaku që ajo të sëmurej. Nuk ishte e lehtë të mos shihje nënën kaq gjatë, por e kisha parim: sa më pak kontakte, aq më shumë siguri.”

Ajo theksoi se për një periudhë të gjatë jeta e saj ishte e kufizuar vetëm mes shtëpisë dhe spitalit:

“Përveç ndonjë mbledhjeje të detyruar në Ministrinë e Shëndetësisë për raportime zyrtare, nuk kam shkuar askund tjetër. Nuk kisha frikë se do infektohesha, sepse isha njeriu që mbajta uniformën deri në ditën kur u shërua pacienti i fundit i pandemisë së madhe.”

Duke folur për përvojën në vijën e parë, ajo e përshkroi uniformën mbrojtëse si një simbol të fortë të asaj periudhe:

“Ka shumë histori brenda kësaj veshjeje. Nuk është thjesht një uniformë… Ne që e kemi veshur e dimë se çfarë mbart: jetë të shpëtuara, por edhe humbje të dhimbshme.”

Në rrëfimin e saj, Çomo kujtoi edhe momentet më të vështira, kur stafi përballej me humbje të njëpasnjëshme:

“Një mëngjes, kur humbëm disa pacientë brenda pak orësh, pashë kolegët e mi duke ecur ngadalë, me këmbët që tërhiqeshin ‘zvarr’ nga pesha e dhimbjes… Në ato momente e kuptova se, si në luftë, nëse dikush dorëzohet, zinxhiri thyhet. Prandaj më duhej të isha gjithmonë në tonus, për të mbajtur fort gjithë ata që luftonin krah me krah.”